Një lider i opozitës në Groenlandë ka bërë thirrje për bisedime të drejtpërdrejta me qeverinë e Shteteve të Bashkuara, pa përfshirjen e Danimarkës, në një kohë kur ish-presidenti amerikan Donald Trump ka rindezur idenë e marrjes nën kontroll të ishullit arktik.
Trump ka shtuar së fundmi deklaratat dhe presionin për Groenlandën, duke rikthyer një propozim që e kishte hedhur për herë të parë në vitin 2019, gjatë mandatit të tij të parë presidencial.
Groenlanda është një territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës, me parlament dhe qeveri të vetën, por çështjet e politikës së jashtme dhe mbrojtjes mbeten nën autoritetin e Kopenhagës.
Pele Broberg, lideri i partisë opozitare Naleraq, forca më e madhe opozitare dhe zëri më i fortë për pavarësinë e Groenlandës, tha për Reuters se qeveria aktuale e ishullit duhet të zhvillojë dialog të drejtpërdrejtë me Uashingtonin, duke akuzuar Danimarkën se po antagonizon si Groenlandën, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara me rolin e saj ndërmjetësues.
Partia Naleraq, e cila kërkon një shkëputje të shpejtë nga Danimarka, dyfishoi numrin e vendeve në parlament në zgjedhjet e fundit, duke marrë 25 për qind të votave në vendin me rreth 57 mijë banorë. Edhe pse jashtë koalicionit qeverisës, ajo mbështet idenë e një marrëveshjeje mbrojtjeje me SHBA-në dhe një modeli “asociimi të lirë”, ku Groenlanda do të përfitonte mbështetje dhe mbrojtje amerikane në këmbim të të drejtave ushtarake, pa u bërë territor amerikan.
Megjithatë, ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, deklaroi se ishulli nuk mund të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me SHBA-në pa Danimarkën, pasi kjo nuk lejohet ligjërisht.
Qeveritë e Danimarkës dhe Groenlandës nuk kanë reaguar ende zyrtarisht ndaj deklaratave të Broberg./mxh
