Më 10 janar 1863, nën rrugët e zhurmshme dhe të mbipopulluara të Londrës, nisi të funksionojë një ide që do të ndryshonte përgjithmonë mënyrën se si qytetet lëvizin: Hekurudha Metropolitane. Linja e parë, e hapur midis Paddington dhe Farringdon, hyri në histori si hekurudha e parë nëntokësore në botë dhe shënoi fillimin e shërbimeve moderne të transportit urban nëntokësor.
Në mesin e shekullit XIX, Londra ishte kryeqyteti i perandorisë më të madhe në botë, por edhe një qytet i mbytur nga trafiku. Qerret me kuaj, karrocat tregtare dhe fluksi i pandërprerë i njerëzve e kishin kthyer lëvizjen në sipërfaqe në një makth të përditshëm. Zgjidhja erdhi duke shfrytëzuar hapësirën poshtë tokës – një hap i guximshëm për kohën, i pritur fillimisht me skepticizëm.
Hekurudha Metropolitane përdorte lokomotiva me avull, një teknologji që sot duket e papërshtatshme për tunele, por që atëherë përfaqësonte kulmin e inovacionit industrial. Megjithë tymnajat dhe kushtet jo gjithmonë komode, londinezët e përqafuan shpejt shërbimin e ri. Brenda pak muajsh, metroja u shndërrua në një domosdoshmëri urbane.
Ky inaugurim nuk ishte thjesht hapja e një linje hekurudhore; ishte lindja e një modeli që do të kopjohej në Paris, Nju Jork, Berlin e më pas në mbarë botën. Londra u bë laboratori i parë i transportit nëntokësor modern.
Sot, kryeqyteti britanik njihet globalisht për një nga sistemet më të vjetra dhe më të sofistikuara të metrosë në botë. “Tube”, siç e quajnë londinezët, është jo vetëm një mjet transporti, por edhe një simbol i identitetit urban, i inovacionit dhe i vazhdimësisë historike.
Sot qarkullimi më metro, është njëri nga transportet kryesore në qytet e mëdha të botës, ku qindra miliona udhëtarë udhëtojnë çdo ditë. Por nga tuneli i parë midis Paddington dhe Farringdon deri te rrjeti gjigant i sotëm, historia e metrosë londineze nis në vitin 1863 – një vit që e futi Londrën, fjalë për fjalë, në epokën e nëntokës.
Përgatiti: L.V
