Në shtëpinë e Napolit po kalohen ditë shumë të ngarkuara, si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë organizativ.
Në fushë, Antonio Conte dhe skuadra po përgatisin ndeshjen e rëndësishme ndaj Interit, një përballje me peshë të madhe në garën për titull. Paralelisht, në zyrat e klubit, drejtori sportiv Manna është i angazhuar për t’i vënë në dispozicion trajnerit përforcimet e nevojshme gjatë merkatos së janarit.
Strategjia e Napolit është e qartë: merkatoja duhet të realizohet me bilanc zero. Kjo do të thotë se përpara çdo afrimi, klubi duhet të mbyllë të paktën një largim.
Një planifikim i kujdesshëm konsiderohet thelbësor për të ruajtur ekuilibrin financiar dhe për të përmbushur kërkesat teknike të trajnerit. Përveç mesfushës, një repart që kërkon ndërhyrje është edhe sulmi.
Situata në ofensivë është e ndërlikuar. Romelu Lukaku vijon të jetë jashtë fushave për shkak dëmtimi, ndërsa Lucca nuk ka përmbushur pritshmëritë. Në këto kushte, vetëm Hojlund nuk konsiderohet i mjaftueshëm për të mbajtur peshën e repartit. Pikërisht për këtë arsye, Lucca shihet si kandidati kryesor për t’u larguar gjatë kësaj merkatoje dimërore, për t’i hapur rrugë afrimit të një profili tjetër.
Sulmuesi i lindur në vitin 2000 ka kërkesa në merkato, veçanërisht jashtë Italisë. Interes konkret ka nga Benfica si dhe së fundmi nga Nottingham Forest. Negociatat me klubin portugez janë aktualisht të bllokuara për shkak të formulës së transferimit, pasi Mana synon një operacion rreth 30 milionë euro, shifër që konsiderohet e lartë nga Benfica.
Sa i përket afrimeve, Napoli po vlerëson disa opsione. Dy prej tyre vijnë nga Roma. Artem Dovbyk është ofruar nga përfaqësuesit e tij, por dëmtimi i pësuar në ndeshjen ndaj Leçes mund të ndikojë ndjeshëm në ecurinë e kësaj piste. Alternativa tjetër te verdhekuqtë është Ferguson. Megjithatë, sipas “Corriere dello Sport”, në orët e fundit kanë marrë më shumë peshë zërat për Raheem Sterling.
Sulmuesi anglez ishte monitoruar edhe gjatë verës, por tani situata ka ndryshuar. Sterling është jashtë planeve te Chelsea dhe synon të zgjidhë sa më shpejt kontratën. Ai nuk ka luajtur një ndeshje zyrtare që nga maji i vitit 2025, kur ishte pjesë e Arsenalit.
Me mbi 180 gola të shënuar në karrierë, Napoli mund të përfaqësojë një mundësi konkrete për rikthimin e tij, ndërsa merkatoja e janarit mbetet e hapur dhe vendimtare për lëvizjet e radhës të kampionëve të Italisë./mxh
