Franca ka njoftuar këtë të hënë nisjen e një programi të ri të shërbimit ushtarak kombëtar vullnetar për të rinjtë, i cili do të zgjasë 10 muaj dhe do të fillojë këtë vit në shtator.
Ky program, i prezantuar nga Presidenti Emmanuel Macron në nëntor, është i hapur për të gjithë qytetarët francezë të moshës 18-25 vjeç. Qëllimi është të angazhohen mijëra të rinj në ushtri, marinë dhe forcën ajrore, duke kryer detyra të ndryshme në territorin francez.
Nga shtatori, 3,000 të rinj do të fillojnë shërbimin e tyre, numri i të cilëve do të rritet në 4,000 në 2027 dhe në 10,000 çdo vit deri në 2030. Ata do të paguhen rreth 800 euro në muaj dhe do të kryejnë detyra që variojnë nga ndihma gjatë katastrofave natyrore, rojet kundër terrorizmit, deri te pozicione si operator dronësh, pjekës, mekanik, elektricist dhe pjesëtar i stafit mjekësor.
Pas përfundimit të shërbimit, pjesëmarrësit mund të integrohen në jetën civile, të bëhen rezervistë ose të qëndrojnë në forcat e armatosura, duke reflektuar një model të ri hibrid të ushtrisë.
Ministrja e Mbrojtjes, Catherine Vautrin, bëri të ditur se programi pritet të kushtojë 150 milion euro në 2026 dhe një total prej 2.3 miliard eurosh midis 2026-2030.
Ky program vjen ndërsa Franca dhe vende të tjera europiane po shqetësohen për ndryshimet në politikën e sigurisë amerikane dhe për sjelljen agresive të Rusisë, duke kërkuar të forcojnë vetëmbrojtjen e tyre./mxh
