Rusia ka paralajmëruar ashpër Perëndimin se çdo dislokim i trupave të huaja në Ukrainë, në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme paqeje, do të konsiderohet nga Moska si objektiv legjitim ushtarak.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi se plani i ashtuquajtur i “Koalicionit të të Vullnetshmëve”, i diskutuar në Paris më 6 janar, synon vendosjen e forcave shumëkombëshe në Ukrainë, të cilat ajo i cilësoi si “trupa pushtuese perëndimore”.
Sipas Zakharovës, deklarata e nënshkruar nga kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti francez dhe drejtuesit e Kievit, paraqitet si garanci për një marrëveshje të ardhshme paqeje, por në realitet synon, sipas saj, të minojë procesin e paqes të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe të zgjasë luftimet “deri te ukrainasi i fundit”.
Ajo theksoi se Londra është plotësisht e vetëdijshme për papranueshmërinë e këtij skenari për Rusinë, por po e përdor atë si një mjet politik kundër Moskës.
Në një paralajmërim të drejtpërdrejtë, Zakharova deklaroi se çdo përpjekje për të zbatuar këtë plan do ta bënte Britaninë përgjegjëse për jetët e shtetasve të saj, duke shtuar se çdo kontingjent i huaj në Ukrainë do të konsiderohet objektiv legjitim për forcat e armatosura ruse, pa përjashtime.
Deklaratat vijnë në një kohë tensionesh të larta diplomatike, ndërsa diskutohet e ardhmja e sigurisë në Ukrainë dhe roli i mundshëm i forcave perëndimore pas një armëpushimi të mundshëm./mxh
