Last Updated on 16/01/2026 by EL
Qëndrimi i artikuluar sot nga Kryeministri Edi Rama për peshën dhe vështirësinë e dy viteve të ardhshme në funksion të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk është thjesht një mesazh politik për administratën dhe grupin parlamentar të shumicës. Ai është, në thelb, një paralajmërim për një ndryshim të thellë qasjeje në mënyrën se si vendi prodhon, kontrollon dhe vendos standarde, veçanërisht në sektorë kritikë si siguria ushqimore.
Rama e tha qartë se procesi i negociatave nuk është vetëm teknik, por një barrë e madhe detyrimesh që kërkon qartësi, disiplinë dhe vendimmarrje të fortë. “Shqipëria po përgatitet të hyjë në një treg prej 450 milionë konsumatorësh, ku nuk ka vend për improvizim, tolerancë selektive apo standarde të dyfishta”. Në këtë kuadër, paralajmërimi se vendi është ende larg kritereve të BE-së për sigurinë ushqimore duhet lexuar si një alarm serioz, jo si retorikë politike. Në skenarin më ekstrem të përshkruar prej Kryeministrit, dështimi për të përmbushur këto kritere do të nënkuptonte jo vetëm pamundësinë për të eksportuar, por edhe rrezikun që produkte vendase të mos lejohen të qarkullojnë as në tregun e brendshëm.
Pikërisht në këtë kontekst, rasti i kompanisë Lufra nuk është një episod i shkëputur, por një ilustrim konkret i asaj që do të thotë, në praktikë, standard europian. Refuzimi i grumbullimit të qumështit të kontaminuar me aflatoksinë ka shkaktuar reagime të forta publike, të artikuluara edhe nga deputeti Erjon Braçe, duke vënë në fokus vështirësitë reale ekonomike të blegtorëve të Myzeqesë. Ky shqetësim është i kuptueshëm dhe nuk duhet minimizuar, por ai nuk mund të zgjidhet duke relativizuar sigurinë ushqimore. Ekofin.al disponon rezultatet e analizave ku qumështi i mbledhur nga fermerët ka rezultuar me nivele shumë të larta aflatoksine.

Përtej zhurmës mediatike dhe keqinterpretimit të qëllimshëm apo të pavullnetshëm të deklaratave, faktet janë të thjeshta: analiza laboratorike kanë konstatuar nivele të papranueshme të aflatoksinës, një ndotës serioz që buron kryesisht nga ushqimi i kafshëve dhe mënyra e ruajtjes së tij. Në këto kushte, refuzimi i qumështit nuk është as një manovër tregtare dhe as një akt arbitrar ndaj fermerëve, por një detyrim ligjor dhe etik ndaj konsumatorit. Lejimi i futjes së kësaj lënde të parë në zinxhirin e prodhimit do të nënkuptonte transferimin e rrezikut shëndetësor nga ferma te tryeza e qytetarëve, një praktikë e papranueshme në çdo treg që synon standardet e BE-së.
Nga këndvështrimi i konsumatorit, ky është një lajm i mirë. Ai tregon se, të paktën në këtë hallkë të zinxhirit, po zbatohet parimi se siguria e produktit është mbi çdo interes tjetër. Ky është pikërisht standardi që Bashkimi Europian kërkon dhe që Kryeministri sot e përshkroi si të panegociueshëm: nuk ka më hapësirë për “të falur” në emër të vazhdimësisë së aktivitetit ekonomik, nëse kjo bie ndesh me shëndetin publik.
Debati i ngritur për burimet alternative të qumështit, për importet apo për trajtimet fiskale të industrisë, është legjitim dhe kërkon transparencë të plotë nga autoritetet dhe nga vetë përpunuesit. Por ai nuk e ndryshon thelbin e çështjes: një produkt i kontaminuar nuk mund dhe nuk duhet të hyjë në treg. Sfida reale për shtetin është gjetja e zgjidhjeve strukturore për fermerët, që të mos mbeten të ekspozuar ndaj humbjeve sa herë që prodhimi i tyre dështon në standarde. Kjo do të thotë kontroll më i fortë i ushqimit të bagëtive, asistencë teknike, mbështetje financiare dhe edukim për standardet, jo ulje të vijës së kuqe të sigurisë ushqimore.
Nëse fjalët e Ramës për dhjetë vitet që “kalojnë shpejt” dhe për mungesën e luksit për të diskutuar pas negociatave merren seriozisht, atëherë rasti i Lufrës duhet parë si një provë gjenerale e Shqipërisë për BE-në. Integrimi nuk do të vijë nga deklaratat, por nga vendime konkrete që tregojnë se standardi mbrohet edhe kur është i dhimbshëm ekonomikisht. Në këtë sens, siguria ushqimore nuk është thjesht një kapitull negociatash, por testi më i drejtpërdrejtë i gatishmërisë së vendit për t’u bërë pjesë e Europës. /et
