Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të premten se vendimi për të ulur tensionet me Iranin ishte marrë ekskluzivisht prej tij, duke mohuar se ishte ndikuar nga ndërmjetësimet e vendeve arabe apo Izraelit.
“Askush nuk më bindi, u binda vetë,” tha Trump, duke shtuar se ai vlerëson vendimin e Teheranit për të anuluar, sipas tij, “800 ekzekutime”. Ai nuk sqaroi më tej lidhur me deklaratat e tij të mëparshme për mbështetjen ndaj protestuesve iranianë, të cilën kishte thënë se “është rrugës”.
Duke u pyetur për Groenlandën, Trump theksoi rëndësinë strategjike të ishullit arktik për sigurinë kombëtare të SHBA-ve. Ai paralajmëroi se mungesa e bashkëpunimit të NATO-s do të krijonte një boshllëk strategjik, por siguroi se ushtria amerikane, “më e fuqishmja në botë”, po bëhet edhe më e fortë.
Presidenti u ndal gjithashtu te çështjet ndërkombëtare në Amerikën Latine. Ai komentoi gjestin e opozitares venezueliane Maria Corina Machado, e cila i ofroi Çmimin Nobel, duke e konsideruar si shumë të sjellshëm dhe duke vlerësuar rolin e saj në shmangien e konflikteve.
Sa i përket bashkëpunimit me Delcy Rodríguez dhe situatës në Venezuelë, Trump dha një përgjigje të paqartë, duke përmendur Irakun si shembull dhe duke paralajmëruar pasojat e shpërbërjes së strukturave shtetërore. Megjithatë, ai përsëriti vlerësimin për Machado, duke e cilësuar një figurë mbresëlënëse dhe të jashtëzakonshme, me të cilën pritet të ketë kontakte edhe në të ardhmen./MXH
