Presidenti Volodymyr Zelensky i ka cilësuar furnizimet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës si “të pamjaftueshme”, duke zbuluar se disa sisteme kishin qenë “pa raketa” deri në mëngjesin e së premtes.
“Mund ta them këtë hapur sepse sot i kam ato raketa”, tha presidenti, duke shtuar se Ukraina kishte marrë një “paketë të konsiderueshme” më herët gjatë ditës.
Komentet e tij vijnë pas disa ditësh bombardimesh intensive ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, që kanë lënë mijëra njerëz pa ngrohje dhe energji elektrike gjatë një dimri tejet të ftohtë.
Shkollat në Kiev do të qëndrojnë të mbyllura deri në shkurt, ka njoftuar kryetari i bashkisë së kryeqytetit, ndërsa qyteti vazhdon të përballet me mungesa të rënda energjie, në kushtet kur temperaturat kanë zbritur deri në -19°C.
Zelensky u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës të ofrojnë “dërgesa të shpejta” të raketave të disponueshme dhe tha se këto dërgesa nuk do të thotë “se dimri do të mbarojë për ne nesër”.
“Dhe nuk do të thotë se nesër armiku do të ndalojë bombardimet ndaj nesh”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Ukraina mbështetet te partnerët e saj perëndimorë për disa sisteme jetike të mbrojtjes ajrore, të cilat, sipas Zelensky-t, kërkojnë “furnizime të vazhdueshme me raketa”.
“Sigurimi i këtyre paketave kërkon përpjekje të jashtëzakonshme, gjak dhe jetë njerëzish.”
Ai kritikoi vendet që “grumbullojnë” këtë lloj municioni: “Nëse ne jemi në luftë, na nevojitet realisht. Dhe në disa vende nuk ka luftë.”
Të premten në mbrëmje, ai tha se Ukraina kishte “informacione inteligjence” se Rusia po përgatitej për sulme në shkallë të gjerë.
“Furnizimet janë të pamjaftueshme”, shkroi ai në Telegram. “Po përpiqemi t’i përshpejtojmë gjërat dhe është e rëndësishme që partnerët tanë të na dëgjojnë.”
Më herët këtë javë, Kievi shpalli gjendje emergjence në sektorin e energjisë dhe emëroi ish-kryeministrin Denys Shmyhal si ministër të Energjisë për të përballuar situatën.
Zyrtarët ukrainas akuzuan gjithashtu Moskën se po shfrytëzon qëllimisht një dimër jashtëzakonisht të ftohtë.
Shmyhal i tha parlamentit ukrainas të premten se Moska po “llogarit se mund të na thyejë përmes terrorit energjetik” dhe urdhëroi kompanitë shtetërore të rrisin importet e energjisë.
Mijëra punonjës të sektorit energjetik po punojnë me shpejtësi për të rikthyer furnizimin me energji në mbarë vendin, duke riparuar centralet dhe nënstacionet e goditura nga sulmet ruse.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se pjesa më e madhe e kryeqytetit kishte mbetur pa ngrohje dhe me një “mungesë të madhe energjie elektrike” për herë të parë që nga fillimi i luftës.
Ai i tha agjencisë së lajmeve Reuters se nivelet e energjisë elektrike kishin rënë në më pak se gjysmën e asaj që nevojitej.
Ora policore në qytet, e vendosur pas nisjes së pushtimit të plotë rus në shkurt 2022, është lehtësuar për t’u lejuar banorëve akses në qendra emergjente që ofrojnë ngrohje dhe energji elektrike.
Klitschko kishte sugjeruar më herët këtë javë që banorët të largoheshin nga Kievi, nëse ishte e mundur, për të ulur presionin mbi burimet kritike.
Po të premten, Zelensky tha se negociatorët ukrainas ishin nisur drejt SHBA-ve për bisedime të mëtejshme mbi një armëpushim të mundshëm.
Bisedimet e së shtunës mbahen në Miami, Florida dhe do të përqendrohen te garancitë e sigurisë dhe një paketë rindërtimi pas luftës për Ukrainën, tha ambasadorja e vendit në SHBA, Olha Stefanishyna.
Delegacioni ukrainas do të përfshijë kreun e zyrës së Zelensky-t, Kyrylo Budanov, dhe sekretarin e Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov./K.M
