Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, deklaroi se nuk ka pasur asnjë negociatë me NATO-n lidhur me sovranitetin e Greenlandës, duke hedhur poshtë zërat për përfshirjen e Aleancës në çështjen e statusit të ishullit.
Deklarata vjen pas disa javësh tensionesh, gjatë të cilave Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kishte kërcënuar me vendosjen e tarifave ndaj vendeve që kundërshtonin planet e tij për Greenlandën. Të enjten, Trump u tërhoq nga këto kërcënime dhe përjashtoi përdorimin e forcës, duke sinjalizuar se një marrëveshje kornizë për ishullin arktik mund të jetë pranë.
Tërheqja e Presidentit amerikan nga përdorimi i tarifave si mjet presioni u prit me lehtësim në Evropë, por situata mbetet ende e paqartë, ndërsa përplasja ka rrezikuar çarjen më të thellë të marrëdhënieve transatlantike në dekada.
Pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Donald Trump deklaroi se mund të arrihet një marrëveshje që të plotësojë kërkesën e tij për një sistem mbrojtës kundërraketor në Arktik dhe për akses në minerale strategjike. Sipas Trump, këto masa janë të nevojshme për të frenuar ambiciet e Rusisë dhe Kinës në rajon.
Nga ana e saj, Danimarka thekson se çështja e Greenlandës mbetet një temë sovrane dhe çdo diskutim do të zhvillohet vetëm në kuadër të marrëdhënieve mes Kopenhagës, Greenlandës dhe Uashingtonit./mxh
