Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se Aleanca Atlantike do të rrisë angazhimin për sigurinë në rajonin e Arktikut, pas marrëveshjes kornizë të arritur me Presidentin amerikan Donald Trump për Greenlandën.
Në një intervistë për Reuters, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Rutte tha se NATO ka rënë dakord kolektivisht, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, që të forcojë praninë dhe mbrojtjen në veri.
“Si NATO, duhet të rrisim përpjekjet. Tani ushtria jonë do të nisë planifikimin dhe sapo të finalizohet, do të vendosim nëse vendimi merret në Këshillin e Atlantikut të Veriut apo në nivel komandues. Më e rëndësishmja është që Arktiku të jetë i sigurt.”
Rutte theksoi se të shtatë vendet anëtare të NATO-s që kufizohen me Arktikun – SHBA, Kanadaja, Danimarka, Finlanda, Suedia, Norvegjia dhe Islanda – janë plotësisht dakord për këtë nismë, ndërsa edhe vende të tjera aleate pritet të kontribuojnë.
Sipas tij, rezultatet e para të këtij angazhimi mund të shihen që këtë vit, ndërsa objektivi është që struktura e plotë e sigurisë të jetë gati në fillim të vitit 2026.
“Nuk kam asnjë dyshim që mund ta bëjmë këtë shpejt. Shpresoj për vitin 2026, madje herët në 2026, por dua që gjeneralët tanë të punojnë pa presion.”
Rutte sqaroi se gjatë takimit me Presidentin Trump nuk është diskutuar shfrytëzimi i mineraleve në Greenlandë, ndërsa negociatat specifike do të vazhdojnë mes Shteteve të Bashkuara, Danimarkës dhe autoriteteve të Greenlandës.
Ai theksoi gjithashtu se rritja e angazhimit në Arktik nuk do të ndikojë negativisht mbështetjen e NATO-s për Ukrainën.
I pyetur nëse aleatët mund t’i besojnë fjalës së Donald Trump, Rutte u përgjigj pa hezitim:
“Donald Trump mund të merret gjithmonë në fjalë. Ai është lideri i botës së lirë dhe po bën pikërisht atë që duhet për të forcuar NATO-n dhe për të garantuar sigurinë në Arktik.”
Presidenti Trump, nga ana e tij, deklaroi se SHBA nuk do të përdorë forcën për të ndjekur ambicien për Greenlandën dhe hoqi dorë nga kërcënimet për tarifa shtesë ndaj aleatëve europianë./mxh
