Last Updated on 20/11/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të premte, në orën 08:00, në Kryeministri ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve.
Në fokus të takimit mësohet se është “Prania Besnike”, nisma e Partisë Socialiste që synon forcimin e komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët. Përmes saj, përfaqësuesit politikë dhe deputetët duhet të zhvillojnë takime të rregullta me qytetarët, të dëgjojnë shqetësimet e tyre dhe t’i përcjellin ato pranë institucioneve përgjegjëse.
Kjo mbledhje vjen pas Asamblesë Kombëtare të PS-së, të zhvilluar më 14 nëntor, ku socialistët deklaruan nisjen e përgatitjeve elektorale për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, Rama pritet të mbledhë sërish nesër Asamblenë Socialiste të Tiranës. Takimi do të zhvillohet në orën 11:00, në ambientet e Xibrakut.
Mbledhja pritet të vijë me ndryshime në drejtimin e strukturave socialiste në kryeqytet. Ervin Demo dhe Albana Koçiu do të jenë në cilësinë e bashkëkryetarëve, ndërsa Elisa Spiropali nuk do të jetë pjesë e forumeve drejtuese, pas shkarkimit të saj një javë më parë.
Takimi i nesërm zhvillohet në kuadër të organizimit të strukturave të PS-së në Tiranë dhe përgatitjeve për zgjedhjet lokale të vitit 2027./ad
