Shtetet e Bashkuara dhe Nigeria kanë zotuar thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, gjatë një takimi të nivelit të lartë të zhvilluar në Abuja. Bisedimet vijnë vetëm pak muaj pasi Uashingtoni e shpalli Nigerinë “vend me shqetësim të veçantë” për çështjet e lirisë fetare.
Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Politike, Allison Hooker, deklaroi se vendimi i presidentit Donald Trump ka shërbyer si katalizator për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, veçanërisht në mbrojtjen e komuniteteve të cenueshme dhe luftën kundër grupeve ekstremiste.
“Që nga ajo ditë, dy vendet tona kanë bërë përparim të madh në partneritetin për të mbrojtur më mirë komunitetet e rrezikuara këtu në Nigeri.”
Nigeria ka qenë së fundmi në fokus të kritikave të administratës Trump, e cila ka akuzuar qeverinë nigeriane për dështim në mbrojtjen e të krishterëve, të cilët sipas Uashingtonit janë shënjestër e militantëve islamistë në veri të vendit. Në ditën e Krishtlindjeve, forcat amerikane kryen sulme ajrore ndaj luftëtarëve të Shtetit Islamik në veriperëndim të Nigerisë.
Nga ana e saj, qeveria në Abuja mohon çdo persekutim sistematik të të krishterëve, duke theksuar se operacionet ushtarake synojnë grupet islamiste dhe bandat e armatosura që sulmojnë si të krishterë, ashtu edhe myslimanë.
Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Nigerisë, Nuhu Ribadu, mirëpriti angazhimin e SHBA-ve për të përshpejtuar dërgimin e pajisjeve ushtarake të vonuara prej kohësh, përfshirë dronë, helikopterë dhe pjesë këmbimi.
“Ky bashkëpunim është zhvilluar me respekt të plotë për sovranitetin e Nigerisë.”
Ribadu shtoi se autoritetet nigeriane mbeten të përkushtuara për forcimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e komuniteteve të prekura nga dhuna./mxh
