Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Alexus Grynkewich, ka ngritur alarmin për rritjen e bashkëpunimit ushtarak mes Rusisë dhe Kinës në Arktik, duke e cilësuar atë si një nga ndryshimet më shqetësuese të situatës së sigurisë në rajon.
Sipas tij, gjatë viteve të fundit është vërejtur një intensifikim i patrullimeve të përbashkëta detare dhe ajrore, përfshirë fluturime të përbashkëta të bombarduesve me rreze të gjatë veprimi.
“Kur rivalët apo kundërshtarët tanë të mundshëm rrisin bashkëpunimin e tyre ushtarak, kjo është diçka që ne duhet ta ndjekim me shumë vëmendje.”
Grynkewich theksoi se NATO nuk fokusohet vetëm te kërcënimet aktuale, por edhe te ato që mund të shfaqen në të ardhmen, duke nënvizuar nevojën për investime afatgjata në sigurinë e Arktikut.
“Disa nga masat që duhet të marrim në Arktik kërkojnë kohë, si instalimi i sensorëve të rinj dhe kapaciteteve të zbulimit. Ne po punojmë vazhdimisht për të forcuar praninë dhe qëndrimin tonë në këtë rajon.”
Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, kreu ushtarak i NATO-s u dha një mesazh të qartë qytetarëve të vendeve anëtare, përfshirë edhe Groenlandën.
“Angazhimi ynë kolektiv ndaj Nenit 5 mbetet i hekurt.”
Deklaratat vijnë në një kohë kur Arktiku po fiton rëndësi strategjike gjithnjë e më të madhe, për shkak të ndryshimeve klimatike dhe interesave gjeopolitike në rritje./mxh
