Danimarka ka bërë thirrje për një proces të qetë dhe pa tensione në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara lidhur me Groenlandën. Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, deklaroi të premten se Kopenhaga synon të ulë tonet dhe të shmangë dramën në takimet e ardhshme me Uashingtonin.
Deklarata vjen pas komenteve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se kishte siguruar akses total dhe të përhershëm të SHBA-së në Groenlandë, pas bisedimeve me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Ky i fundit theksoi se aleanca duhet të rrisë përpjekjet për të përballuar kërcënimet nga Rusia dhe Kina në rajonin arktik.
Nga ana e saj, kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, njoftoi se ishte dakord me kreun e NATO-s për nevojën e forcimit të sigurisë në Arktik, pas disa javësh tensionesh të shkaktuara nga deklaratat e presidentit Trump për aneksimin e Groenlandës.
Frederiksen pritet të udhëtojë sot drejt kryeqytetit të Groenlandës, Nuuk, ku do të zhvillojë takime me kryeministrin e ishullit.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm Rasmussen konfirmoi se diplomatët danezë dhe amerikanë janë takuar të enjten në Uashington, ku kanë rënë dakord për një plan veprimi për të ecur përpara. Ai shtoi se datat e takimeve të ardhshme nuk do të bëhen publike, për të garantuar një proces të qetë diplomatik./mxh
