Forumi Ekonomik Botëror në Davos u mbyll të premten, pas pesë ditësh diskutimesh intensive mes liderëve botërorë, në një klimë të shënuar nga tensione dhe sfida globale. Kreu i Forumit, Borge Brende, deklaroi se gjatë takimeve u kërkuan “zona dakordësie” edhe në momente të vështira.
Në fjalën përmbyllëse, Brende theksoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm mes vendeve dhe liderëve botërorë, duke e cilësuar atë si të domosdoshëm për tejkalimin e krizave aktuale. Ai nënvizoi se dialogu i vërtetë kërkon durim, angazhim dhe kreativitet.
Edicioni i këtij viti u fokusua kryesisht te përplasjet mes liderëve europianë dhe presidentit amerikan Donald Trump, i cili mori pjesë personalisht në forum. Në qendër të debateve ishin kërcënimet për tarifa tregtare dhe qëndrimi i SHBA-së ndaj Groenlandës.
Ndërkohë, zhvillimet e fundit sollën një zbutje të tensioneve, pasi presidenti Trump u tërhoq nga kërcënimet për vendosjen e tarifave ndaj Europës dhe përjashtoi mundësinë e marrjes së Groenlandës me forcë. Kjo solli një frymëmarrje lehtësimi në marrëdhëniet transatlantike, të cilat rrezikonin përçarjen më të madhe të dekadave të fundit./mxh
