Kreu i të drejtave të njeriut në OKB bëri thirrje të premten që administrata e presidentit Donald Trump të sigurojë që politikat e emigracionit respektojnë të drejtat individuale dhe ligjin ndërkombëtar. Ai shprehu shqetësim për arrestimet dhe mbajtjet arbitrare dhe të paligjshme të migrantëve.
“Individë po survejohen dhe arrestohen, ndonjëherë edhe me dhunë, madje në spitale, kisha, xhami, gjykata, tregje, shkolla dhe brenda shtëpive të tyre, shpesh thjesht mbi dyshimin se janë migrantë pa dokumente,” tha Volker Turk, përfaqësues i Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Operacionet e fundit në qytetin e Minneapolisit kanë përfshirë rreth 3,000 oficerë federalë të armatosur dhe të maskuar, të cilët kanë arrestuar persona që pretendohet se janë shkelës të ligjit për emigracionin, duke përfshirë edhe qytetarë të ligjshëm dhe migrantë të rregullt.
Tensionet u rritën pas vrasjes së Renee Good, një qytetare amerikane dhe nënë e tre fëmijëve, më 7 janar, nga një oficer i emigracionit. Zëvendëspresidenti JD Vance mbrojti operacionet, duke fajësuar “agitatorët e ekstremit të majtë” dhe autoritetet lokale që nuk bashkëpunojnë.
Turk kërkoi një hetim të pavarur mbi rritjen e numrit të vdekjeve në kujdesin e Agjencisë për Imigracion dhe Dogana të SHBA-së, duke cituar 30 vdekje në 2025 dhe gjashtë deri më tani këtë vit. Ai gjithashtu dënoi denigrimin rutinor të migrantëve dhe refugjatëve në SHBA, duke theksuar se kjo rrit ekspozimin e tyre ndaj urrejtjes dhe abuzimit xenofobik./mxh
