Carlo Ancelotti është pranë rinovimit të kontratës me Kombëtaren e Brazilit. Marrëveshja aktuale mes trajnerit italian dhe Federatës skadon në përfundim të Kampionatit Botëror 2026, por gjatë javëve të fundit palët kanë zhvilluar kontakte të vazhdueshme për vazhdimin e bashkëpunimit.
Sipas raportimeve të fundit, është arritur një marrëveshje paraprake për rinovimin e kontratës deri në vitin 2030, duke mbuluar edhe një tjetër cikël botëror.
Ancelotti është trajneri i parë europian që drejton Kombëtaren e Brazilit, përjashtuar disa raste të përkohshme në periudha të largëta.
Emërimi i tij ka shënuar një risi në historinë e përfaqësueses braziliane. Kontrata aktuale e bën Ancelottin trajnerin më të paguar në botë, me një pagë vjetore prej 10 milionë eurosh, si dhe një seri bonusesh të lidhura me arritjet sportive.
Në kontratë parashikohet një bonus i veçantë prej 5 milionë eurosh në rast se Brazili fiton Kampionatin Botëror. Kontrata e re nuk pritet të ndryshojë ndjeshëm pagën bazë, por do të përfshijë bonuse shtesë të lidhura me sukseset në kompeticione si Kupa e Amerikës, një trofe që Brazili nuk e ka fituar rregullisht në vitet e fundit. Firmosja zyrtare e kontratës së re pritet të bëhet në muajin shkurt, pasi Ancelotti është rikthyer në Rio de Zhaneiro pas pushimeve dimërore.
Federata Braziliane ka përcaktuar gjithashtu bazën stërvitore që do të përdoret gjatë Botërorit të ardhshëm.
Po ashtu, janë përcaktuar edhe angazhimet e ardhshme të përfaqësueses. Gjatë dritares së ndeshjeve ndërkombëtare në muajin mars, Brazili do të zhvillojë dy takime miqësore: më 26 mars ndaj Francës në Boston dhe më 31 mars ndaj Kroacisë në Orlando./mxh
