Ambasada Gjermane ka riafirmuar angazhimin e saj afatgjatë për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Shqipëri, duke theksuar se një pjesë e madhe e suksesit ekonomik të Gjermanisë vjen pikërisht nga ky sektor.
Prej më shumë se 10 vitesh, Gjermania ka kontribuar në zhvillimin e biznesit të vogël shqiptar, kryesisht përmes Bankës Gjermane për Zhvillim, e cila ka mbështetur Fondacionin Shqiptar të Garancive për Zhvillim (ADGF) me mbi 40 milionë euro. Gjatë dekadës së parë të aktivitetit të tij, ADGF ka garantuar mbi 33 mijë kredi për sipërmarrësit në të gjithë vendin.
Kjo mbështetje financiare ka krijuar mundësi për investime që përndryshe nuk do të ishin realizuar, duke nxitur inovacionin, rritjen ekonomike, përmirësimin e konkurrencës, si dhe zhvillimin e zonave rurale dhe projekteve miqësore me mjedisin.
Ambasada Gjermane ka përshëndetur gjithashtu faktin që Bashkimi Evropian, si bashkëthemelues i ADGF, do të rrisë angazhimin e tij në të ardhmen, duke u dhënë mundësi edhe më shumë bizneseve të përfitojnë nga garancitë e kredisë.
“Së bashku drejt BE-së”, theksohet në mesazh, duke përgatitur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme shqiptare për kërkesat e tregut të brendshëm evropian.
“Më shumë mbështetje për bizneset e vogla!
Një pjesë e rëndësishme e suksesit ekonomik të Gjermanisë vjen nga ndërmarrjet tona dinamike të vogla dhe të mesme. Me këtë përvojë, ne angazhohemi prej më shumë se 10 vjetësh për zhvillimin dhe rritjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Shqipëri.
Një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj është: mbështetja jonë përmes Bankës Gjermane për Zhvillim KfË për Fondacionin Shqiptar të Garancive për Zhvillim (ADGF) me më shumë se 40 milionë euro, i cili gjatë dekadës së parë të ekzistencës së tij ka siguruar mbi 33,000 kredi për sipërmarrësit!
Kjo ka mundësuar “injeksione financiare” për bizneset, të cilat ndoshta nuk do të ishin realizuar duke nxitur kështu inovacion, rritje, përmirësim të konkurrencës dhe veçanërisht një transformim në zonat rurale dhe një përkushtim më të madh ndaj mbrojtjes së mjedisit.
Jemi të lumtur që BE, si bashkëthemeluese e ADGF, do të angazhohet edhe më shumë në të ardhmen, duke u mundësuar edhe shumë biznese të tjera të përfitojnë garanci kredie.
Së bashku drejt BE-së! Dhe së bashku, do t’i përgatisim ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për kërkesat e tregut të brendshëm të BE-së”, theksohet në njoftim./Kb
