Një klasik i epokës së filmit pa zë është ripërpunuar për rrëshqitjen vertikale të ekraneve të telefonit. A është kjo risi, sakrilegj, apo thjesht një mënyrë tjetër për të ripaketuar historinë e kinemasë?
Pamela Hutchinson
“Disa filma janë copëza jete, të mitë janë copëza torte,” thoshte Alfred Hiçkoku. Kush do ta kishte menduar se dikush do të merrte thikën ndaj njërit prej filmave të tij më të dashur të epokës së heshtur, The Lodger: A Story of the London Fog (1927), dhe do ta shndërronte në një mikrodramë vertikale?
Aplikacioni Tattle TV ka njoftuar se do të transmetojë dramën për një vrasës serial, The Lodger, në platformën e tij vertikale të përshtatur për telefonat, duke i thënë Deadline se kjo është “një nga rastet e para të njohura ku një film artistik klasik është riformatuar plotësisht për konsum vertikal, të orientuar drejt celularit”. A do të vendosë kjo një prirje? Dhe nëse po, si mund ta ndalojmë?
Sigurisht, po bëj shaka. Gjithmonë do të ketë nga ata që e shohin kinemanë arkivore si thjesht përmbajtje për t’u ripërdorur në formate të reja. Dhe gjithmonë do të ketë puristë të gardës së vjetër – kush, unë? – që rrudhin fytyrën nga kjo ide. Gjithsesi, Tattle TV, më ke tërhequr vëmendjen, ndaj le të flasim për këtë.
Ne nuk do ta marrim këtë mini-Hiçkok në Britani, as në BE për shkak të të drejtave, por shikuesit me fat në SHBA do të mund ta shohin filmin që Hiçkoku e konsideronte “herën e parë që ushtrova stilin tim”, në një format që në thelb e shpërfill atë stil. The Lodger do të paraqitet me imazhin e tij katror 4:3, ose të shtrirë, ose të prerë për t’iu përshtatur një ekrani vertikal telefoni. Kështu, shpesh do të mungojnë pjesë të imazhit – dhe ky është problem.
Plani i hapjes së The Lodger është një afrim tronditës i një gruaje që bërtet, me kokën të anuar në mënyrë që e gjithë fytyra t’i mbushë kuadrin, e ndriçuar nga pas për të theksuar flokët e saj bionde. Hiçkoku i tha Trifosë se te The Lodger ai paraqiti “ide në terma thjesht vizualë”. Ky afrim përfaqëson terrorin që po përhapej në Londër, teksa një “ripper” kishte në shënjestër gra të reja, flokëarta. A mbetet ideja e paprekur, edhe nëse imazhi jo? Hiçkoku, i njohur për këmbënguljen e tij ndaj kuadrave të kompozuara me kujdes, me gjasë do të mos binte dakord. Edhe unë jo.
Në formën e “mikrodramës”, koha 90-minutëshe e The Lodger ndahet në kapituj (dy të parët janë falas, por për të parë gjithë filmin duhet të paguash). Hiçkoku këmbëngulte se gjatësia ideale e një filmi artistik ishte “e lidhur drejtpërdrejt me qëndrueshmërinë e fshikëzës njerëzore”, dhe shumica e njerëzve mund të rrinë ulur për një orë e gjysmë, sidomos në duart e mjeshtrit të pezullimit. Njerëzit ankohen për filmat treorësh, por Hollivudi prej kohësh është përpjekur ta bëjë të funksionojë drama me format të shkurtër, me sukses të kufizuar. Ju kujtohet Quibi?
Është e vërtetë se në bërjen e filmave gjithmonë bëhen kompromise, gjë që Hiçkoku e dinte mirë. Meqë protagonisti i The Lodger ishte Ivor Novello, ndoshta ylli më i madh i kinemasë britanike të asaj kohe, Hiçkoku u detyrua ta bënte fundin më të rregullt dhe më pak të paqartë sesa do të kishte dashur.
Është po ashtu e vërtetë se Hiçkoku u përshtat me dëshirë ndaj formateve të reja. Ai xhiroi filmin e parë britanik me zë, Blackmail (1929), dhe përqafoi televizionin. Por nëse shikoni, për shembull, dallimet mes versionit pa zë dhe atij me zë të Blackmail, do të vini re se Hiçkoku e kuptonte që një teknologji e re kërkonte teknika të reja. Ndoshta do të kishte bërë mikrodrama të jashtëzakonshme, por meqë ai nuk është më këtu për ta bërë këtë, formati më mirë t’u lihet kineastëve që krijojnë përmbajtje vertikale origjinale këtu dhe tani.
“Duke ripërdorur klasikë britanikë si The Lodger, Tattle TV synon t’ia prezantojë kinemanë ikonike një brezi krejt të ri shikuesish, duke ndërtuar një urë mes historisë së filmit dhe audiencave bashkëkohore mobile,” raporton Deadline. Një synim për t’u lavdëruar, ndonëse një shpirt cinik mund të thotë se është një njoftim i bujshëm që do t’i zemërojë puristët e përmendur të gardës së vjetër, duke i shtyrë të godasin tastierat me inat – dhe kështu të promovojnë aplikacionin. Oops.
Por nëse vërtet doni të ndërtoni atë urë, ndoshta ribëni, e jo thjesht riformatoni, disa nga klasikët e hershëm të kinemasë britanike, si filmi i pavdekshëm me truke të djegies dhe copëtimit, Mary Jane’s Mishap (G.A. Smith, 1903), apo The Big Swallow, të cilët ishin të konceptuar për t’u shfaqur vetëm për disa minuta dhe si pjesë e një programi të përzier. Shfaqja e vazhdueshme ishte “doomscrolling”-u origjinal – ndoshta.
Ajo që më duket vërtet e çuditshme është se nuk mungojnë mënyrat për ta parë The Lodger: në disk, apo online, me çmime dhe cilësi të ndryshme. Për shikuesit amerikanë, do të rekomandoja Blu-ray-n e Criterion Collection, me muzikën e Neil Brand. Dikur pranonim imazhe “pan-and-scan” në DVD, sepse nuk kishte mënyrë tjetër për t’i parë filmat në shtëpi, por kjo nuk është më e vërtetë. The Lodger është një i preferuar i repertorit, që shfaqet rregullisht në ekran të madh, kështu që mund ta shihni vërtet në kinema, me shoqërim muzikor live, ashtu siç ishte menduar të shihej.
Njoftimi i Tattle për The Lodger vjen pas një studimi të Universitetit të Sussex-it, sipas të cilit rrëshqitja në rrjetet sociale është “aktiviteti që na sjell më pak gëzim”. Një tjetër studim i British Council zbuloi se të rinjtë e vlerësojnë filmin dhe televizionin si shumë më ndikues sesa përmbajtjen digjitale. Në fakt, rrjetet sociale mund të falënderohen paradoksalisht për rikthimin e brezit Z në sallat e kinemasë – shumë ia atribuojnë platformës së recensioneve Letterboxd nxitjen e një zakoni të ri të shkuarjes në kinema.
Tani që Tattle i ka dhënë The Lodger një dozë “Ozempic”-u digjital dhe e ka holluar në përmasat e një TikTok-u, ndoshta do të provokojë disa prej nesh të fikin telefonat dhe ta shohin një kryevepër kinematografike siç duhet – në një ekran mjaftueshëm të madh për ta përballuar.
Përgatiti për botim: L.Veizi
