Presidenti dhe mbështetësit e tij që bashkojnë forcat për të vendosur se çfarë lexojnë dhe shohin audiencat duket si e marrë drejtpërdrejt nga manuali i fashizmit.
Nesrine Malik*
Dy ngjarje, të vendosura krah për krah, na tregojnë shumë për atë që po merr formë me shpejtësi në SHBA. Në njërën, Melania Trump publikon një dokumentar luksoz, Melania, një rrëfim i rikthimit të saj në Shtëpinë e Bardhë. Amazon i kaloi rivalët për të siguruar të drejtat e dokumentarit, duke shpenzuar gjithsej 75 milionë dollarë (54 milionë paund), dhe shitjet e biletave deri tani sugjerojnë se kjo, ta themi butë, nuk ishte një sipërmarrje thjesht komerciale.
Në tjetrën, Washington Post pritet të shkurtojë deri në 200 vende pune në fillim të këtij muaji, përfshirë shumicën e stafit të tij të huaj dhe një pjesë të konsiderueshme të redaksisë. Si Melania, ashtu edhe Washington Post mbështeten nga Jeff Bezos. Dy vendimet e tij — të investojë në propagandë shtetërore dhe të tërhiqet nga pushteti i katërt që supozohet të mbajë pushtetin nën kontroll — zbulojnë shumë për mënyrën se si kapitali dhe autoritarizmi bashkojnë forcat për të vendosur se çfarë lexojnë dhe shohin audiencat.
Probleme po shfaqen edhe në një tjetër media historike amerikane, CBS News. Në korrik të vitit të kaluar, miliarderi i teknologjisë dhe aleati i Donald Trumpit, Larry Ellison, së bashku me djalin e tij, producent hollivudian David Ellison, morën kontrollin e Paramount, që mbikëqyr CBS News. Ish-kolumnistja e New York Times dhe, së fundmi, themeluese e blogut anti-“woke” Free Press, Bari Weiss, u soll me urgjencë për të drejtuar CBS News. Ajo u përball shpejt me probleme, pasi hyri në konflikt me veteranët e një kanali që prodhon programe legjendare si 60 Minutes, dhe u përpoq të justifikonte vendime editoriale që u panë si të anshme në favor të administratës Trump. Weiss pritet tani të bëjë edhe shkurtime në redaksi.
Çështja domethënëse është çfarë do të mbetet në këto institucione, çfarë do të theksohet. Weiss ka njoftuar se ka shtuar një numër autorësh opinioni dhe se dëshiron të vërë “theks të madh te ‘scoops’… veçanërisht te ‘scoops’ të ideve. ‘Scoops’ të shpjegimit”. Me pak fjalë: më shumë nxehtësi, më pak dritë. Edhe rubrika e opinionit të Washington Post është me interes për Bezosin, i cili njoftoi vitin e kaluar se faqet e saj do të “shkruajnë çdo ditë në mbështetje dhe mbrojtje të dy shtyllave: lirive personale dhe tregjeve të lira… këndvështrimet që kundërshtojnë këto shtylla do t’u lihet t’i botojnë të tjerët”.
Ky fetiçizim i shkrimit të opinionit është një shenjë e keqe. Pikëpamjet duhet të ecin krah për krah me mbulimin e lajmeve vendase dhe ndërkombëtare. Lajmet nuk duhet të përdoren për qëllime partiake apo të “kanibalizohen” për koment. Por, mbi të gjitha, ky orientim është simptomë e një mediaje në pronësi të së djathtës që nuk kërkon më ta raportojë botën ashtu siç është, por ta krijojë botën ashtu siç dëshiron të jetë.
Pikat e diskutimit të regjimit Trump, që justifikojnë vrasjen “e merituar” të të ashtuquajturve “terroristë të brendshëm” në rrugët amerikane, trajtohen si çështje opinioni që thjesht duhet të transmetohen. Vetë realiteti është shtrembëruar dhe është bërë i diskutueshëm. Ajo që njerëzit kanë parë e dëgjuar me sytë dhe veshët e tyre vihet në dyshim nga një lumë komentesh me gënjeshtra dhe hamendësime, të cilave u jepet vula e së vërtetës duke u shfaqur apo shtypur në platforma të besueshme.
Por ky kalim nga lajmi te opinioni është pjesë e diçkaje më të gjerë. Politika është shndërruar në një shfaqje narrativesh për atë se kush është mik dhe kush armik. Ajo prek emocionet e publikut duke nxitur dhe provokuar frikë. Kanalizimi dhe theksimi i këtyre ndjenjave bëhet më pas biznesi i medias. Ndërkohë, strukturat reale të pushtetit mbeten të paprekura. Kjo është ajo që Walter Benjamin e quajti “estetizimi i politikës” nën fashizëm.
Kudo që sheh në këtë epokë të mediave në pronësi të manjatëve të teknologjisë, vendimet ndjekin këto shije fashiste. Ç’vlerë ka mbulimi i jashtëm, një përpjekje e kushtueshme dhe që kërkon shumë kohë, kur bota shihet si një vend armiqsh dhe përfituesish që ose duhen prerë, ose vënë nën kontroll? Kujt i interesojnë hetimet e gjata për abuzimet e pushtetit? Apo reportazhet që eksplorojnë jetët e njerëzve diku tjetër?
Ndikimi është degradimi i vetë mënyrës se si njerëzit komunikojnë me njëri-tjetrin dhe për njëri-tjetrin. Njohja dhe afërsia me të tjerët janë gjëra që duhen zhdukur nën autoritarizëm. Po kështu edhe shprehja artistike, siç tregohet nga marrja nën kontroll e asaj që ishte Qendra Kennedy dhe sulmi ndaj Smithsonian-it. Ajo që disa e shohin si institucione të vjetra dhe të nderuara amerikane, e djathta i sheh si organe të një regjimi të vjetër që duhen ripërdorur. Kjo është ajo që ndodh në grushtet e shtetit: gjithçka që lidhet me vlerat dhe stilin e rendit të vjetër çrrënjoset.
Autokracia bluan ngadalë dhe pështyn gjithçka që i duket e papërshtatshme. Miliarderët, që kanë grumbulluar shumë më tepër para dhe pushtet sesa është e shëndetshme për një demokraci, zotërojnë makineritë. Ata që i shërbejnë janë të papërshtatur, idiotë të dobishëm dhe kërkues vëmendjeje. Kjo bluarje do të shitet si pragmatizëm, thjesht si dhënie publikut të asaj që dëshiron. Në një botë ku financat e mediave tradicionale janë të paqëndrueshme dhe vëmendja e audiencës është e copëzuar, do të thuhet se raportimi është shumë kërkues për burimet institucionale dhe për vetë publikun.
Këto probleme janë reale — gazetaria është një industri në vështirësi dhe teknologjia po dëmton aftësinë tonë për të mësuar dhe menduar — por është domethënëse që zgjidhjet e propozuara priren drejt futjes së më shumë zërave të djathtë, privilegjimit të shprehjes mbi raportimin dhe zvogëlimit të aftësisë për të dëshmuar përvojën njerëzore globale.
Nuk është rastësi që manjatët e teknologjisë të ngarkuar me “zgjidhjet” rezultojnë të jenë pranë ose të lidhur me ata që kanë marrëdhënie me administratën Trump. Dhe ajo qeveri ka shpallur luftë ndaj gazetarisë, me retorikën e saj për “lajmet e rreme”, madje tani edhe duke arrestuar gazetarë. Në asnjë mënyrë Ellisonët apo Bezosi nuk janë kujdestarë me mirëbesim të medias, të shqetësuar vetëm për qëndrueshmërinë e gazetarisë në një botë në ndryshim. E gjithë kjo mban erë të rëndë.
*Nesrine Malik është kolumniste e Guardian-it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
