Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të synojnë kontrollin mbi ishullin arktik, pavarësisht se presidenti amerikan Donald Trump ka përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake.
Duke folur të hënën, më 2 shkurt, në parlamentin e Groenlandës, Nielsen tha se qëndrimi i Uashingtonit ndaj ishullit dhe popullsisë së tij nuk ka ndryshuar. “Groenlanda shihet si një territor që duhet të lidhet me Shtetet e Bashkuara dhe të qeveriset prej andej,” u shpreh ai, përmes një përkthyesi.
Presidenti Trump i ka intensifikuar në fillim të vitit thirrjet për kontroll amerikan mbi Groenlandën, duke përmendur shqetësime për sigurinë kombëtare dhe praninë e Rusisë dhe Kinës në rajonin e Arktikut, deklarata që kanë rrezikuar të përçajnë aleancën e NATO-s.
Megjithatë, Trump është tërhequr nga kërcënimet për përdorimin e forcës dhe ka deklaruar se ka siguruar akses të plotë të SHBA-së në Groenlandë përmes një marrëveshjeje brenda NATO-s, detajet e së cilës mbeten të paqarta.
Sipas Nielsen, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kërkojnë “rrugë drejt pronësisë dhe kontrollit mbi Groenlandën.”/mxh
