Frika se në nëntor mund të humbasë kontrollin e Kongresit po e bën Donald Trump gjithnjë e më të guximshëm në përpjekjet për të ndryshuar rregullat zgjedhore në favor të tij. Presidenti i SHBA-ve u ka kërkuar republikanëve në Kongres që të “nacionalizojnë votimin”, duke pretenduar një pushtet që Kushtetuta amerikane ua atribuon shteteve.
Gjatë një bisede me Dan Bongino, ish-zëvendësdrejtor i FBI-së, Trump përsëriti pretendimin se zgjedhjet e vitit 2020 i janë vjedhur dhe u bëri thirrje republikanëve të “marrin kontrollin” e procesit zgjedhor.
“Duhet ta marrim kontrollin e votimit të paktën në pesëmbëdhjetë vende. Republikanët duhet ta nacionalizojnë votimin”, tha Trump.
Sipas Kushtetutës së SHBA-ve, “koha, vendi dhe mënyra” e zhvillimit të zgjedhjeve përcaktohen nga secili shtet dhe jo nga qeveria federale. Kongresi ka të drejtë të vendosë rregulla zgjedhore, por presidenti nuk ka asnjë rol kushtetues në këtë proces. Autonomia e shteteve është një nga shtyllat themelore të sistemit amerikan. Megjithatë, Trump duket i gatshëm ta cenojë këtë parim për të frenuar rënien e mbështetjes, duke rrezikuar edhe një përplasje me vetë Partinë Republikane, e cila historikisht ka mbrojtur të drejtat e shteteve dhe ka kundërshtuar një qeveri federale të fortë.
Mandati i pazakontë i FBI-së autorizoi sekuestrimin e të gjitha fletëve të votimit në letër të vitit 2020, regjistrave të makinave të numërimit, imazheve të prodhuara gjatë numërimit dhe listave zgjedhore të atij viti. Sipas “New York Times”, në operacionin në Georgia ka marrë pjesë, duke shkelur protokollin, edhe shefja e inteligjencës Tulsi Gabbard, e cila më pas ka përdorur telefonin e saj personal për të lidhur Trump me një agjent të FBI-së.
Duke folur me Bongino, Trump përsëriti pa prova se ekzistojnë “shtete aq të korruptuara” dhe “shtete ku kam fituar, por që rezultojnë sikur nuk ka ndodhur”. Ai po ashtu pretendoi, sërish pa baza, se emigrantë të parregullt janë lejuar të votojnë ilegalisht në vitin 2020 dhe la të kuptohet se nga Georgia do të dalin “gjëra interesante”.
Dhjetëra gjykata në mbarë SHBA-të, përfshirë edhe gjyqtarë të emëruar nga vetë Trump, kanë rrëzuar vazhdimisht akuzat për manipulim zgjedhor. Presidenti synon ta vendosë makinën zgjedhore nën kontroll federal, edhe pse mënyra se si do ta bënte këtë mbetet e paqartë. Demokratët e shohin këtë si një përpjekje të dëshpëruar për të shmangur humbjen në zgjedhjet e nëntorit./kb
