Kreu i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, deklaroi në Komisionin e Ligjeve se grupi i punës për sigurinë në gjykata do ta përfundojë veprimtarinë në fund të muajit mars. Sipas tij, në përfundim të këtij procesi do të nisë hartimi i një strategjie, e cila do të shoqërohet me një plan konkret veprimi.
Rusi theksoi se ka një ndërgjegjësim të shtuar për nevojën e rritjes së sigurisë në institucionet e drejtësisë. Ai bëri të ditur se është realizuar një analizë e thelluar për të gjitha godinat ku ushtrohen funksionet gjyqësore, si dhe për godinat e zyrave të shërbimit.
Sipas tij, të gjitha godinat kanë nevojë për përmirësim të elementëve të sigurisë, duke nisur nga gjykatat në Tiranë, përfshirë Gjykatën e Lartë, Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Administrative. Gjithashtu, nevoja të theksuara janë evidentuar edhe në gjykatat e Lezhës, Fierit, Kukësit, Sarandës dhe Beratit.
Rusi vuri në dukje se aktualisht gjyqtarët, prokurorët dhe personeli lëvizin në të njëjtat korridore, çka përbën problem sigurie. Ai theksoi se në të gjitha gjykatat ka nevojë për përmirësim të infrastrukturës dhe për shtim të efektivëve të sigurisë në këto godina.
“Grupi i punës e përfundon veprimtarinë në fund të muajit mars. Në përfundim të veprimtarisë do të nisim një strategji që do të krijojë një plan veprimi. Ka një ndërgjegje të shtuar për sigurinë në institucione.
Kemi marrë një analizë të thelluar në të gjithë godinat që ushtrohen funskionet dhe në godinat e zyrave të shërbimit.
Të gjitha godinat kanë nevojë, por më shumë elementë sigurie duke nisur nga godinat e Gjykatave në Tiranë nga Gjykata e Lartë, Gjykata e Apelit, Gjykata Administrative. Ka gjykata që janë në nevojë Lezha, Fieri, Kukës, Saranda dhe Berati.
Gjyqtari, prokurori të gjithë janë në një korridor. Në të gjitha gjykata ka elementë ku duhet infrastrukturë duhet të shtohen efektivë në këto godina”, tha kreu i KLGJ-së./Kb
