Last Updated on 04/02/2026 by EL
Deputeti demokrat Belind Këlliçi pyet publikisht kryeministrin Edi Rama, nëse zyra e biznesmenit në kërkim Ergys Agasi në zonën e Bllokut në Tiranë, ishte e regjistruar në Drejtorinë e Tatimeve, ashtu siç kreu i qeverisë po pyet për Shoqatën e Prokurorëve.
“Edi Rama paska zbuluar sot në kohë rekord në mënyrë të rrufeshme, se shoqata e prokurorëve nuk qenka e regjistruar tek tatimet! Për tu admiruar kjo zotësi e qeverisë për kontroll e monitorim. Por 2 pyetje ngrihen sot”, shkruan Këlliçi, teksa shtron pyetjet:
– A e dinte Edi Rama me gjithë këtë informacion që ka nëse ishte e regjistruar, ku ishte dhe çfarë aktiviteti ushtronte zyra e Gys Agasit në Bllok, aty ku paraqiteshin në radhë zyrtarë të lartë të qeverisë?! A ishte kjo një zyrë që po ashtu siguronte verën 33 mijë euro për atë, e organizonte dhe rrëmbime personash?!
– Dhe e dyta, a kishte dijeni Edi Rama që posedon gjithë këtë informacion në kohë rekord, se ku ishin godinat dhe si ishin sistemuar 50 kompani të regjistruara në Durana Park, të cilat çuditërisht gjetën parajsën fiskale në një livadh?!
Sipas deputetit demokratë, këto janë dëme të mëdha dhe që u interesojnë qytetarëve e taksapaguesve, sepse të tjerat sipas Belind Këlliçit, janë përralla të lodhura për të ushqyer një propagandë të skaduar.
Ai thotë se kjo propagandë paguhet me paratë e inceneratorit inekzistent të Tiranës, të cilin si një nga denoncuesit më të mëdhenj, deputeti thekson se Edi Rama nuk e gjen dot.
