
Apeli i Gjykatës së Posaçme ka pranuar pjesërisht ankimimin e Drejtoreshës së Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, Ervina Gjana për sekuestrimin e sendeve personale.
Në njoftimin e Apelit të GJKKO-së për mediat, bëhet me dije se vendimi është marrë nga gjyqtari Florjan Kalaja.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më datë 05.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 40 akti, datë 27.01.2026 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses E.Gj: “Ankim kundër vendimit nr. 834, datë 30.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Kërkesë për verifikimin e ligjshmërisë së ekzekutimit të vendimit nr. 812, datë 15.12.2025, për lejimin e kontrollit personal dhe të vendeve, përsa i përket sekuestrimit të sendeve personale të një personi të tretë, si dhe kthimin e sendeve të sekuestruara pa bazë ligjore”, duke pranuar pjesërisht ankimin e znj. E.Gj, ndryshoi vendimin nr. 834, datë 30.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Gjithashtu, disponoi për ndalimin e publikimit apo dekonspirimit të këtij vendimi deri në mbylljen e hetimeve paraprake, në zbatim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në njoftimin e Apelit të GJKKO-së./kb
