Qytetarë iranianë në Teheran kanë shprehur optimizëm pas zhvillimit të bisedimeve bërthamore mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, të mbajtura në Oman.
“Duhet të ndjekim diplomacinë dhe negociatat, por duke mbajtur gjithmonë gishtin mbi këmbëz,” u shpreh një qytetar iranian, Mohammadi, duke reflektuar qëndrimin e kujdesshëm të opinionit publik në vend.
Një ditë më parë, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, deklaroi se bisedimet bërthamore me Uashingtonin kanë nisur me një “fillim të mirë” dhe se do të vazhdojnë, një deklaratë që synon të zbusë shqetësimet se dështimi i negociatave mund ta shtyjë Lindjen e Mesme drejt një konflikti të ri.
Pas takimeve të zhvilluara në kryeqytetin e Omanit, Muskat, ku morën pjesë Araqchi, i dërguari special amerikan Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, ministri iranian theksoi se çdo dialog kërkon mungesë kërcënimesh dhe presioni.
Ai sqaroi se Irani është i gatshëm të diskutojë vetëm çështjen bërthamore dhe jo tema të tjera me Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë, Uashingtoni ka shprehur dëshirën për të zgjeruar bisedimet edhe në fusha të tjera, përfshirë programin raketor balistik të Iranit, mbështetjen për grupet e armatosura në rajon dhe çështjet e të drejtave të njeriut, siç deklaroi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Pavarësisht dallimeve të thella, të dyja palët kanë sinjalizuar gatishmëri për të ringjallur diplomacinë lidhur me mosmarrëveshjen bërthamore që prej vitesh tensionon marrëdhëniet mes Iranit dhe Perëndimit./mxh
