Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, ka deklaruar se ende nuk është caktuar një datë konkrete për raundin e dytë të negociatave bërthamore me Shtetet e Bashkuara, por të dyja palët janë dakord që bisedimet duhet të zhvillohen sa më shpejt.
Në një intervistë për televizionin Al Jazeera, Araqchi tha se Irani është i gatshëm të hyjë menjëherë në negociata për të arritur një marrëveshje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, duke shtuar se raundi i ardhshëm mund të zhvillohet në ditët në vijim.
Ministri iranian theksoi se forma e negociatave nuk është e rëndësishme, por përmbajtja e tyre, duke sqaruar se aktualisht bisedimet po zhvillohen në mënyrë indirekte përmes Sulltanatit të Omanit. Sipas tij, nëse pala tjetër tregon seriozitet dhe besim, Irani mund të rishqyrtojë këtë qasje.
Araqchi bëri të ditur se bisedimet e fundit u përqendruan vetëm te çështja bërthamore, pa përfshirë tema të tjera. Ai theksoi se pasurimi i uraniumit është një e drejtë e panegociueshme për Iranin dhe se çështja e “pasurimit zero” është jashtë çdo diskutimi.
Sipas tij, Irani është i gatshëm të arrijë një marrëveshje që garanton se programi bërthamor do të mbetet paqësor, por nuk do të heqë dorë nga teknologjia bërthamore. Ai shtoi se as çështja e raketave nuk është e negociueshme, duke e cilësuar atë si një element thjesht mbrojtës.
Në deklaratat e tij, Araqchi paralajmëroi gjithashtu se rreziku i luftës ekziston, por Irani është i përgatitur dhe synon ta shmangë atë përmes diplomacisë. Ai u shpreh se një sulm amerikan ndaj Iranit do të sillte përshkallëzim të konfliktit në gjithë rajonin, pasi objektiv do të ishin bazat amerikane dhe jo vendet fqinje.
Intervista vjen një ditë pas zhvillimit të raundit të parë të bisedimeve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në Oman, që të dyja palët e kanë cilësuar si një fillim pozitiv./mxh
