Shkencëtarët kanë identifikuar një rrugë të re që mund të ndihmojë në ngadalësimin e humbjes së kujtesës te njerëzit me sëmundjen e Alzheimerit, një gjendje neurodegjenerative që dëmton gradualisht kujtesën dhe aftësinë e të menduarit.
Studimi u zhvillua nga Cold Spring Harbor Laboratory në Nju Jork, ku studiuesit zbuluan se enzima PTP1B luan një rol në përkeqësimin e humbjes së kujtesës te minjtë me Alzheimer.
Shkencëtarët vëzhguan se kjo enzimë duket se pengon funksionin normal të qelizave imune të trurit (të quajtura mikroglia) për të pastruar pllakëzat e amyloid-beta, struktura proteinike të lidhura me përkeqësimin e sëmundjes.
Kur aktiviteti i PTP1B është i reduktuar, mikroglia funksionon më mirë dhe i largon më efektivisht këto pllaka toksike nga truri.
Sipas autorëve të studimit, PTP1B ndërvepron me proteinën SYK, e cila ndihmon në sinjalizimin e mikroglisë për të reaguar ndaj dëmtimeve. Duke penguar PTP1B, mikroglia mund të zbatojë më mirë funksionet e saj “pastruese”, që shpesh humbin efektivitetin me progresin e sëmundjes.
Aktualisht, trajtimet e përdorura synojnë simptomat, por kjo qasje e re ngre shpresë për një efekt më të drejtpërdrejtë mbi mekanizmat që shkaktojnë humbje kujtese.
Sëmundja e Alzheimerit është forma më e zakonshme e demencës dhe prek dhjetëra miliona njerëz në mbarë botën. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, rreth 55 milionë njerëz jetojnë me demencë dhe Alzheimeri përbën afërsisht 70% të rasteve./Kb
