Rusia nuk ka në plan të nisë një sulm ushtarak ndaj asnjë vendi të NATO-s gjatë këtij viti apo vitit të ardhshëm, por po përshpejton rindërtimin e forcave të saj ushtarake, në një kohë kur vendet europiane po rrisin ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen. Ky është vlerësimi i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Estonisë, i publikuar në raportin vjetor.
Estonia, vend anëtar i NATO-s dhe fqinj me Rusinë, mbetet një nga kritikët më të fortë të Moskës dhe një mbështetëse e vendosur e Ukrainës që prej nisjes së luftës.
Drejtori i shërbimit të inteligjencës estoneze, Kaupo Rosin, deklaroi të martën se vendet e NATO-s duhet të rrisin që tani shpenzimet për mbrojtjen, për të frenuar çdo agresion të mundshëm në të ardhmen.
Sipas raportit, çdo sulm i mundshëm rus ndaj Estonisë do të përfshinte përdorimin e dronëve në tokë, në ajër dhe në det, të koordinuara njëkohësisht në të gjithë territorin e vendit.
Raporti thekson gjithashtu se prodhimi rus i municioneve po rritet me ritme shumë të shpejta, duke i dhënë Moskës mundësinë të krijojë rezerva për konflikte të ardhshme, ndërkohë që vijon luftën në Ukrainë.
Sipas inteligjencës estoneze, Kremlini vazhdon ta konsiderojë Shtetet e Bashkuara si kundërshtarin e tij kryesor global, ndërsa shfaq gatishmëri për bashkëpunim vetëm për të siguruar heqjen e sanksioneve amerikane.
Megjithë këto sinjale të përkohshme, raporti nënvizon se objektivat strategjikë të Rusisë mbeten të pandryshuara: dobësimi i Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, si dhe riformatimi i arkitekturës së sigurisë në Europë sipas vizionit të Moskës./mxh
