Reshjet e shiut gjatë natës janë shoqëruar me ulje temperaturash dhe nisje të reshjeve të borës në disa segmente rrugore të Qarkut të Korçës. Strukturat e mirëmbajtjes janë angazhuar në terren për pastrim dhe kriposje, ndërsa qarkullimi vijon pa probleme serioze.
Në segmentet Libonik–Rëmbec–Plasë dhe Korçë–Voskopojë, reshjet e borës kanë nisur pas shiut, por lëvizja e mjeteve po kryhet normalisht me goma dimërore.
Probleme me inerte në Maliq–Kufi Gramsh
Në aksin Maliq–Kufi Gramsh, reshjet e dendura të shiut kanë sjellë dalje të dy përrenjve me inerte në rrugë. Po punohet për pastrimin e plotë të segmentit, ndërsa reshjet e borës që kanë nisur më pas nuk kanë krijuar vështirësi në qarkullim.
Reshje bore janë regjistruar edhe në aksin Ersekë–Tre Urat, por pa ndikuar në lëvizjen e mjeteve.
Monitorim i vazhdueshëm në akset e tjera
Në akset Korçë–Ersekë, Zemblak–Goricë dhe Bilisht–Miras, reshjet paraqiten me intensitet të ulët dhe mesatar. Grupet e mirëmbajtjes vijojnë punën për pastrim dhe kriposje, pa raportime për bllokime apo vështirësi.
Ndërkohë, në segmentin k/Boboshticë–Dardhë (Lapidari i Podgories) operojnë dy mjete borëpastruese për të garantuar kalueshmërinë. Autoritetet rekomandojnë përdorimin e gomave dimërore në këtë zonë.
Strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri të plotë dhe po monitorojnë situatën në vijimësi për të garantuar sigurinë e qytetarëve në të gjitha akset rrugore të qarkut./Kb
