Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, po shqyrton mundësinë e largimit të parakohshëm nga detyra, përpara përfundimit të mandatit të saj në tetor 2027.
Lajmi është publikuar nga Financial Times, i cili citon burime të njohura me çështjen dhe thekson se koha e saktë e largimit mbetet ende e papërcaktuar.
Sipas raportimit, Lagarde synon që procesi i përzgjedhjes së pasardhësit të saj të merret nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz, në një moment delikat politik për Francën, përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.
Reagimi zyrtar i Bankës Qendrore Evropiane ka qenë i rezervuar. Një zëdhënës deklaroi se presidentja është e fokusuar plotësisht në misionin e saj dhe se nuk ka marrë asnjë vendim lidhur me përfundimin e mandatit.
Në tregjet financiare, reagimi ka qenë i kufizuar. Yield-et e bonove dhe kursi i euros mbetën pothuajse të pandryshuara në orët e para të tregtimit, duke sinjalizuar se investitorët nuk presin ndryshime të menjëhershme në kursin e politikës monetare të Eurozonës, pavarësisht spekulimeve mbi drejtimin e ardhshëm të institucionit./mxh
