Samiti “AI Impact Summit” në Indi ka nisur mes polemikash dhe vështirësish serioze organizative, pasi miliarderi amerikan Bill Gates u tërhoq nga pjesëmarrja vetëm pak orë para fjalimit kryesor të planifikuar. Largimi i tij përbën një goditje të fortë për një event që synonte të ishte forumi i parë i madh për inteligjencën artificiale në Jugun Global dhe një platformë ku India kërkon të pozicionohet si aktore kyçe në qeverisjen globale të AI-së.
Fondacioni Gates bëri të ditur se ai nuk do ta mbajë fjalimin “për të garantuar që vëmendja të mbetet te prioritetet kryesore të samitit”.Vetëm pak ditë më parë, i njëjti fondacion kishte mohuar zërat për mungesën e tij dhe kishte konfirmuar pjesëmarrjen. Pas Gates, nga samiti u tërhoq edhe Jensen Huang, duke shtuar vështirësitë për hapjen e eventit.
Anulimi i Gates vjen në një moment të ndjeshëm, pas publikimit muajin e kaluar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë të disa email-eve që përfshinin komunikime mes financierit të ndjerë dhe të dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein, dhe stafit të Fondacionit Gates. Gates ka deklaruar se marrëdhënia ka qenë e kufizuar vetëm në çështje filantropike dhe se ka qenë gabim takimi me Epstein.
Pavarësisht kësaj, samiti u hap zyrtarisht me fjalimin e kryeministrit indian Narendra Modi, i cili theksoi nevojën për mbrojtjen e fëmijëve në platformat e inteligjencës artificiale. Në skenë me të ishin edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, CEO i Google, Sundar Pichai, CEO i OpenAI, Sam Altman dhe CEO i Anthropic, Dario Amodei.
“Duhet të jemi edhe më vigjilentë për sigurinë e fëmijëve. Ashtu si programet shkollore janë të kuruara, edhe hapësira e AI duhet të udhëhiqet nga familja dhe fëmijët”, tha Modi, duke u fotografuar me drejtuesit më të lartë të teknologjisë botërore.
Megjithatë, samiti është shoqëruar nga kritika të forta për organizimin. Të enjten, pavijonet e ekspozitës u mbyllën papritur për publikun, duke shkaktuar zemërim te kompanitë pjesëmarrëse që kishin investuar në stenda dhe prezantime. Zona e eventit u boshatis, pas disa ditësh me turma të mëdha.
Një tjetër incident ndodhi të mërkurën, kur universiteti indian Galgotias u detyrua të mbyllte stendën e tij, pasi një punonjës prezantoi si produkt të vetin një qen robotik të prodhuar në Kinë, duke shkaktuar reagime të forta publike.
Kaosi u shtua edhe nga bllokimi i rrugëve për lëvizjen e VIP-ave. Policia mbylli akse kryesore në Delhi, duke paralizuar trafikun në qytetin me rreth 20 milionë banorë. Video në rrjetet sociale treguan dhjetëra pjesëmarrës që ecin për kilometra të tëra, pa taksi dhe pa shërbime transporti të organizuara. Deputetja e opozitës Mahua Moitra shkroi në X se menaxhimi i dobët ka dëmtuar imazhin ndërkombëtar të Indisë.
Pavarësisht problemeve, gjatë samitit janë premtuar mbi 100 miliardë dollarë investime në projekte të inteligjencës artificiale në Indi, përfshirë investime nga grupi Adani, kompania Microsoft dhe operatori i qendrave të të dhënave Yotta. Qeveria indiane thotë se pret që angazhimet totale të kalojnë 200 miliardë dollarë në dy vitet e ardhshme, edhe pse analistët paralajmërojnë se zhvillimi i shpejtë mund të rëndojë rrjetin energjetik dhe furnizimin me ujë të vendit./kb
