Last Updated on 19/02/2026 by Anisa
Në emisionin “Repolitix” në Report TV, ish-ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj komentoi vizitën në Tiranë të kreut të delegacionit të Parlamentit Europian, David McAllister, si dhe deklaratën e tij të qartë se nuk do të zhvillonte takim me liderin e PD, Sali Berisha.
Gjatë konferencës për shtyp, McAllister theksoi hapur se nuk do të takohej me Berishën. Sipas Alibeajt, ky qëndrim përbën një goditje të fortë politike, pasi rikonfirmon linjën e mbajtur prej kohësh nga partnerët ndërkombëtarë: Berisha mbetet “non grata”.
Alibeaj u shpreh se McAllister, si një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të partive popullore europiane dhe i afërt me Partinë Demokratike, me vendimin për të mos zhvilluar takim me Berishën, ka ripërsëritur qëndrimin konsistent ndaj figurës së tij politike.
“Zotëria është përfaqësuesi më në zë i partive popullore dhe, megjithatë, nuk shkon ta takojë. Kjo do të thotë se është rifreskuar edhe njëherë qëndrimi i qartë në raport me Sali Berishën: ai mbetet non grata”, u shpreh Alibeaj.
I pyetur nëse ky qëndrim vlen edhe për europianët, Alibeaj shtoi se situata bëhet edhe më domethënëse me kalimin e kohës, duke theksuar se nëse amerikanët patën arsyet e tyre për vendimin e shpalljes “non grata”, tashmë edhe partnerët europianë po mbajnë një distancë të dukshme./fjala.al-A.D
