Last Updated on 19/02/2026 by Anisa
Në një deklaratë të fortë nga Kuvendi i Shqipërisë, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u ndal te marrëdhënia me Kosovën si një përgjegjësi historike dhe kombëtare për Shqipërinë. Ajo theksoi se Shqipëria do të mbetet një zë i fuqishëm në mbështetje të të drejtës së Kosovës, integrimit të saj ndërkombëtar dhe forcimit të dinjitetit të shtetit të saj.
“Stabiliteti i rajonit kalon përmes një Kosove të fortë.”
Sipas Spiropalit, stabiliteti rajonal është i lidhur ngushtë me një Kosovë të njohur ndërkombëtarisht dhe të integruar në strukturat euroatlantike.
“Shqipëria do të mbetet një zë i fortë për të drejtën e Kosovës, për integrimin e saj ndërkombëtar dhe për dinjitetin e shtetit të saj, sepse stabiliteti i rajonit kalon përmes një Kosove të fortë, të njohur dhe të integruar në strukturat euroatlantike,” deklaroi ajo.
Në këtë kuadër, ministrja i kushtoi vëmendje të veçantë proceseve gjyqësore që lidhen me luftën e Kosovës dhe që zhvillohen në Hagë.
“Shqipëria është dhe do të mbetet e angazhuar ndaj drejtësisë ndërkombëtare. Por drejtësia ndërkombëtare nuk është një koncept abstrakt. Ajo matet me standardin e barazisë, me koherencën e saj dhe me aftësinë për të mos u kthyer në instrument të leximeve të njëanshme historike,” u shpreh Spiropali.
Ajo theksoi se lufta e Kosovës nuk ishte një konflikt për pushtet, por një luftë për mbijetesë dhe liri, pas një periudhe të gjatë represioni sistematik një fakt, sipas saj, i dokumentuar ndërkombëtarisht. Për këtë arsye, çdo proces gjyqësor që lidhet me atë periudhë duhet të zhvillohet me vetëdije të plotë për kontekstin historik, disproporcionin e forcës dhe realitetin e krimeve të kryera ndaj popullsisë civile.
Ministrja theksoi se drejtësia nuk mund të funksionojë me standarde të dyfishta dhe nuk duhet të krijojë perceptimin se viktima dhe agresori vendosen në të njëjtin plan moral e historik.
“Kur drejtësia humbet sensin e proporcionalitetit, ajo rrezikon të humbasë legjitimitetin,” paralajmëroi ajo.
Në përfundim, Spiropali deklaroi se Shqipëria do të mbrojë me dinjitet të vërtetën historike të Kosovës dhe parimin që drejtësia duhet të jetë e paanshme, por jo e verbër ndaj realitetit.
“Sepse pa drejtësi të drejtë, nuk ka pajtim të qëndrueshëm. Dhe pa të vërtetë historike, nuk ka paqe të qëndrueshme në rajon,” përfundoi Ministrja e Jashtme.
