Last Updated on 19/02/2026 by Anisa
Instituti amerikan i Paqes në Uashington do të mirëpresë sot takimin e parë të Bordit të Paqes të krijuar nga presidenti Donald Trump. Pjesë e takimit do të jetë edhe Shqipëria, e përfaqësuar nga kryeministri Rama, dhe Kosova që do të përfaqësohet nga Vjosa Osmani. Rama do të firmosë dhe marrëveshjen për anëtarësimin e Shqipërisë në organizatë me statusin vend anëtar themelues, ndërsa do jetë mes liderëve që do të mbajnë edhe fjalim.
Bordi, i krijuar për rindërtimin dhe përpjekjet humanitare në Gaza, do të njihet edhe me njoftimin për 5 miliardë dollarët që shtetet anëtare kanë ofruar për këtë qëllim. Rindërtimi i Gazës pritet të kushtojë 70 miliardë dollarë, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, Bankës Botërore dhe Bashkimit Europian, pas më shumë se dy vitesh lufte.Nuk dihet nëse vendi ynë ka kontribuar me ndonjë shumë dhe as shifra lidhur me vendet e tjera, pasi do të jetë vetë Trump që do t’i shpallë, sipas postimit të tij në Truth Social. Deri më tani, dihet që në këtë fazë, Shqipëria nuk ka detyrime financiare.
Gjithashtu, shtetet anëtare janë angazhuar të dërgojnë trupa për një forcë ndërkombëtare stabilizimi në Gaza. Trump thotë se Bordi do të kthehet në “organin ndërkombëtar më me ndikim në histori”. “Do t’i kemi të gjithë liderët botërorë,” tha ai.
Nga rreth 50 ftesat që ai u ka dërguar krerëve të shteteve për të shërbyer në bord, rreth 27 vende kanë rënë dakord të bashkohen dhe 14 kanë refuzuar. Midis tyre përfshihen disa që janë shumë larg zhvillimeve në Lindjen e Mesme, por që gëzojnë favorin e Trumpit, si presidenti i Argjentinës Javier Milei dhe kryeministri hungarez Viktor Orbán.
Pritet të marrin pjesë udhëheqësit e Shqipërisë, Armenisë, Azerbajxhanit, Argjentinës, El Salvadorit, Paraguait, Pakistanit, Indonezisë, Kamboxhias, Bahreinit, Uzbekistanit, Kazakistanit, Kosovës, Katarit (kryeministri, i cili është edhe ministër i jashtëm), Hungarisë, Egjiptit (kryeministri) dhe Vietnamit. Në nivel ministror, do të jenë të pranishme Jordania, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Maroku, Omani, Turqia, Bjellorusia dhe Izraeli. Bullgaria, e cila dëshiron të bashkohet me Bordin pas ratifikimit parlamentar, do të dërgojë një delegacion të udhëhequr nga Ivan Naydenov, sekretar i përhershëm i Ministrisë së Jashtme.
Vendet vëzhguese përfshijnë Italinë, të përfaqësuar nga Antonio Tajani , Qipron (Ministër i Jashtëm), Greqinë (Zëvendësministër i Jashtëm) dhe Rumaninë (Presidente); Ambasadori i Koresë së Jugut Yonghyon Kim; Ndihmësin Special të Japonisë për Ministrin e Jashtëm, Takeshi Okubo, përgjegjës për rindërtimin në Gaza; Ambasadorin e Holandës në Shtetet e Bashkuara; dhe Këshilltarin e Politikës së Jashtme të Polonisë.
Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Europian, e ka refuzuar ftesën, ndërsa liderët e aleatëve kyç të SHBA-së, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë dhe Francën, kanë thënë gjithashtu se nuk do t’i bashkohen Bordit të Paqes. Trumpi e tërhoqi ftesën për Mark Carneyn e Kanadasë pas një fjalimi kritik nga kryeministri kanadez në Forumin Ekonomik Botëror në Davos muajin e kaluar.
Nisma e Shtëpisë së Bardhë mori një tjetër goditje këtë javë, pasi Papa Leone XIV njoftoi se Vatikani nuk do t’i bashkohej bordit, për të cilin kritikët kanë thënë se është një përpjekje për të uzurpuar autoritetin nga organizata të tjera të mëdha ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, dhe mund t’i lejojë Trumpit të mbetet kryetar edhe pasi të përfundojë presidenca e tij.
Mes liderëve që do mbajnë fjalim është edhe kryeministri Edi Rama.
AXHENDA E PLOTË
Mbledhja Inauguruese e Bordit të Paqes
E enjte, 19 Shkurt 2026
Instituti Amerikan i Paqes “Donald J. Trump”
06:15 (me orën amerikane) – Fillojnë mbërritjet e delegacioneve
08:05 (me orën amerikane) – Përfundojnë mbërritjet e delegacioneve
08:40 (me orën amerikane) – Foto familjare
09:00 (me orën amerikane) – Fillon mbledhja
Fjalë mirëseardhjeje dhe hapëse nga Presidenti dhe Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara
Prezantime në tryezë të rrumbullakët & Përditësime kryesore
1. Sekretari Rubio – Natyra historike e mbledhjes së BoP
2. Steve Ëitkoff – Suksesi në lirimin e pengjeve dhe koordinimi i ndërmjetësve
3. Ambasadori Mike Ëaltz – Ndihma dhe adresimi i nevojave aktuale të Gazës
4. Dr. Ali Shaath – NCAG, e ardhmja e Gazës (3 minuta fjalë)
5. Nick Mladenov – OHR & Demilitarizimi
6. Gjeneral Major Jeffers – ISF & Policia e Gazës
7. Tony Blair – Ngritja e kapaciteteve & Zhvillimi organizativ
8. Yakir Gabay – Rindërtimi / Plani i Përgjithshëm (Master Plan)
9. Liran Tancman – Zinxhiri i furnizimit & Teknologjia
10. Marc Roëan – Fondi Sovran i Pasurisë
11. Presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga – Përgjegjësia fiskale / transparenca dhe Fondi Sovran
12. Jared Kushner – Rezultate të matshme të BoP në Gaza dhe ndikimi i ardhshëm i BoP
Video për rindërtimin e Gazës
Ndërhyrjet
Rendi:
1. Bahreini – Mbreti Hamad bin Isa Al Khalifa
2. Kazakistani – Presidenti Kassym-Jomart Tokayev
3. Uzbekistani – Presidenti Shavkat Mirziyoyev
4. Indonezia – Presidenti Praboëo Subianto
5. Rumania – Presidenti Nicușor Dan
6. Shqipëria – Kryeministri Edi Rama
7. Egjipti – Kryeministri Mostafa Madbouly
8. Katari – Kryeministri Mohammed Al-Thani
9. Emiratet e Bashkuara Arabe – Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme Sheikh Abdullah Bin Zayed Bin Sultan Al-Nahyan
10. Maroku – Ministri i Jashtëm Nasser Bourita
11. Turqia – Ministri i Jashtëm Hakan Fidan
12. Kuvajti – Ministri i Jashtëm Sheikh Jarrah Jaber Al-Ahmad Al-Sabah
13. Arabia Saudite – Ministri i Shtetit për Punët e Jashtme Adel Al-Aljub
Prezantim video nga FIFA
Rezoluta & Votimet e Bordit
