Last Updated on 19/02/2026 by Anisa
Ka nisur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) gjyqi ndaj kryebashkiakut socialist të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i cili akuzohet për korrupsion zgjedhor.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar thirrjen e 27 dëshmitarëve në proces, të cilët janë marrë më herët në pyetje gjatë fazës së hetimit. Hetimet nisën më 20 mars, mbi një muaj para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, pas një materiali të referuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe një kallëzimi të bërë nga një punonjës i bashkisë. Të dyja rastet u bashkuan në një procedim të vetëm penal.
Sipas prokurorit të SPAK, Dritan Prençi, gjatë hetimeve janë përdorur metoda speciale, përfshirë përgjime dhe vëzhgime. Organi i akuzës pretendon se Shkreli u ka premtuar investime banorëve të fshatit Stajkë për rregullimin e linjës së energjisë elektrike, duke kërkuar në këmbim votën për Partinë Socialdemokrate.
Nga ana tjetër, mbrojtja e kryebashkiakut i ka mohuar kategorikisht akuzat. Avokatja Rovena Gashi deklaroi se nuk ekziston asnjë provë që e implikon klientin e saj në vepër penale. Sipas saj, në dosjen hetimore prej rreth 500 faqesh, e cila përfshin komunikime dhe përgjime, nuk rezulton në asnjë moment që Shkreli t’u ketë kërkuar qytetarëve votën për ndonjë subjekt politik.
Mbrojtja thekson se kryebashkiaku është kontaktuar nga vetë banorët e Stajkës, pas dëmtimeve në linjën e energjisë elektrike të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut. Sipas saj, ankesa është depozituar në portalin e bashkëqeverisjes, ndërsa procedura për remontin e shtyllave është ndjekur nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSH), dhe jo nga bashkia.
Avokatja shtoi se bëhet fjalë për një ndërhyrje mirëmbajtjeje dhe jo për një investim të ri, duke theksuar se roli i kryebashkiakut ka qenë vetëm përcjellja e shqetësimit të qytetarëve pranë institucioneve përgjegjëse./A.D
