Last Updated on 23/02/2026 by Anisa
Mesditën e kësaj të hëne, Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme ka zhvilluar seancën dëgjimore me kandidatët për krerë të misioneve diplomatike. Gjatë mbledhjes, anëtari i opozitës në komision, Tritan Shehu, ngriti rezerva lidhur me kandidaturën e Jeta Krekës për ambasadore në Katar, ndërsa shprehu mbështetje për emërimin e Bardhyl Kollçakut në NATO.
Shehu theksoi se posti i ambasadorit duhet të jetë kulmi i një karriere të gjatë diplomatike dhe jo një emërim që anashkalon hierarkinë profesionale brenda shërbimit diplomatik. Sipas tij, në vendet e zhvilluara, ambasadorët dalin nga një rrugëtim i gjatë formimi dhe eksperience në diplomaci, që siguron cilësi dhe qëndrueshmëri në përfaqësimin e shtetit.
“Ambasador shkon dikush që ka ndjekur, pastaj emërohet si niveli më i lartë i karrierës diplomatike, emërohet ambasador. Ky është një rregull i artë në të gjitha vendet e zhvilluara, pasi të qenurit ambasador është kurorëzimi i një karriere të gjatë diplomatike, jo të shkurtër. Ky rregull është shkelur,” tha Shehu.
Ai shtoi se praktika e emërimeve jashtë karrierës rrezikon të demotivojë diplomatët e rinj dhe ata me përvojë, duke dobësuar strukturën dhe funksionimin afatgjatë të shërbimit diplomatik shqiptar. “Pse të punojnë njerëzit në trupin diplomatik kur nuk bëhen dot ambasador? Kur mund të bëhesh ambasador duke qenë dikur tjetër, edhe në moshë të re, pa kaluar atë kalvarin e karrierës diplomatike. Kështu e shkatërrojmë trupin diplomatik,” deklaroi ai.
Shehu u shpreh se ministria duhet të kundërshtojë këtë praktikë dhe të sigurojë që avancimi në karrierë të jetë i drejtë dhe i motivueshëm për të gjithë diplomatët: “Duhet të luftojë për këtë gjë, jo t’ia presin, t’ia sjellin me parashutë. Unë nuk përjashtoj zonjën, por në parim jam krejtësisht i shqetësuar nga kjo ecuri e trupit diplomatik shqiptar.”
Seanca dëgjimore vazhdon, ndërsa komisioni pritet të diskutojë edhe kandidaturat e tjera për misionet diplomatike.
