Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka akuzuar Ukrainën për bllokim të qëllimshëm të furnizimeve me naftë përmes tubacionit “Druzhba”, duke e cilësuar situatën si “shantazh të hapur politik”.
Në një fjalim para parlamentit, Orban deklaroi se, sipas tij, Ukraina – e cila ndodhet në luftë – ka ndërprerë dërgesat e naftës që prej 27 janarit, duke prekur drejtpërdrejt furnizimin energjetik të Hungarisë. Ai theksoi se qeveria hungareze ka analizuar situatën dhe ka arritur në përfundimin se nuk ekzistojnë pengesa teknike për rifillimin e transportit të naftës, por se vendimi për hapjen e tubacionit mbetet në dorën e Kievit.
Sipas Orban, marrëdhëniet diplomatike mes Hungarisë dhe Ukrainës kanë arritur në pikën më të ulët. Ai u shpreh se pala ukrainase po kërkon nga Budapesti të heqë dorë nga energjia ruse, të ofrojë mbështetje financiare për Ukrainën dhe të mbështesë anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian.
Kryeministri hungarez shtoi gjithashtu se qeveria e tij është përballur me presione dhe kërcënime të hapura, si ndaj ekzekutivit ashtu edhe personalisht ndaj drejtuesve të saj. Orban theksoi se Hungaria nuk do t’i nënshtrohet asnjë forme shantazhi dhe do të mbrojë interesat e saj kombëtare në fushën e energjisë dhe politikës së jashtme.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme mes dy vendeve, në sfondin e luftës në Ukrainë dhe debatit të gjerë në Europë mbi varësinë nga energjia ruse./mxh
