Në shkurt të vitit 1992, konflikti i përgjakshëm në rajonin e Nagorno-Karabakh arriti një nga kulmet më tragjike të tij. Rreth 613 civilë azerbajxhanas u vranë gjatë marrjes së qytetit të Khojaly-t nga forcat armene, në një ngjarje që hyri në histori si Masakra e Khojaly-t.
Ngjarja ndodhi në kontekstin e luftës mes Armenia dhe Azerbajxhani, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Rajoni i Nagorno-Karabagut, me shumicë armene por brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Azerbajxhanit, ishte kthyer në vatër përplasjesh të armatosura që nga fundi i viteve ’80. Me rënien e kontrollit sovjetik, tensionet etnike u shndërruan në luftë të hapur.
Sipas autoriteteve azere, në natën e 25–26 shkurtit 1992, civilë që po largoheshin nga qyteti u qëlluan gjatë përpjekjes për të kaluar në zona të sigurta. Pamjet dhe dëshmitë e mëvonshme tronditën opinionin publik në Azerbajxhan dhe më gjerë, duke e kthyer Khojaly-n në simbol të vuajtjes kombëtare.
Nga ana tjetër, pala armene ka pohuar se ekzistonte një korridor për evakuimin e civilëve dhe se viktimat ndodhën në rrethana kaotike lufte, ndërsa përgjegjësitë mbeten objekt debatesh dhe interpretimesh të ndryshme. Megjithatë, fakti i padiskutueshëm është numri i madh i civilëve të vrarë dhe përmasat e tragjedisë njerëzore.
Masakra e Khojaly-t nuk ishte një episod i izoluar. Lufta në Karabag u shoqërua me spastrim etnik nga të dyja palët. Mijëra armenë u dëbuan nga qytete në Azerbajxhan në fund të viteve ’80 dhe fillim të ’90-ës, ndërsa qindra mijëra azerbajxhanas u zhvendosën me forcë nga territoret e kontrolluara nga forcat armene. Vetëm pak muaj përpara ngjarjeve në Khojaly, edhe civilë armenë kishin rënë viktima të sulmeve dhe masakrave në zona të tjera të konfliktit.
Lufta e parë e Karabagut përfundoi në vitin 1994 me një armëpushim të brishtë, por plagët mbetën të hapura. Konflikti shpërtheu sërish në vitin 2020 dhe tensionet vazhdojnë të ndikojnë stabilitetin e Kaukazit Jugor.
Khojaly mbetet një nga kapitujt më të errët të kësaj historie – një kujtesë se në luftërat etnike, viktima e parë është bashkëjetesa, ndërsa viktimat e vërteta janë gjithmonë civilët. Përtej narrativave kombëtare dhe akuzave reciproke, tragjedia e vitit 1992 është dëshmi e çmimit të lartë që paguhet kur nacionalizmi i armatosur zë vendin e dialogut.
Përgatiti: L.Veizi
