Last Updated on 24/02/2026 by Anisa
Në orën 11:00 në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, do të zhvillohet seanca gjyqësore për kërkesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, që i është caktuar në kuadrin e hetimeve kundër tij. Seanca do të shqyrtohet nga gjyqtarja Nertina Kosova.
Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, ka depozituar pranë Apelit një kërkesë zyrtare për të zëvendësuar masën aktuale me një masë më të butë sigurie. Në dokumentet e paraqitura para gjykatës, ai ka ofruar edhe garanci pasurore dhe masa të tjera të lehta që parashikon Kodi i Procedurës Penale, duke argumentuar se kushtet ligjore që justifikonin izolimin e tij në qeli nuk ekzistojnë më tashmë që çështja është kaluar për gjykim dhe provat janë administruar.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025 me kërkesë të SPAK, i akuzuar për një sërë veprash penale, përfshirë korrupsion pasiv, pastrim parash, shpërdorim detyre, mosdeklarim të pasurisë dhe akuza të tjera që lidhen me veprimtarinë e tij gjatë periudhës si kreu i Bashkisë së Tiranës. Hetimet u finalizuan dhe dosja u çua për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë. Që prej asaj kohe, masa e sigurisë “arrest me burg” është në fuqi, ndërsa Veliaj ka kundërshtuar në mënyrë të përsëritur vendimin e shkallës së parë për lënien e tij në burg./A.D
