Last Updated on 25/02/2026 by Anisa
Është ndarë nga jeta aktori i mirënjohur korçar Zhani Ziçishti në moshën 86-vjeçare, një nga figurat më të dashura të skenës dhe ekranit shqiptar.
Lajmi është bërë publik nga Qendra e Artit dhe Kulturës Korçë, e cila në një njoftim zyrtar shpreh dhimbjen për humbjen e artistit që i dha teatrit dhe filmit shqiptar vite të tëra përkushtimi, pasioni dhe profesionalizmi. Ziçishti do të mbetet në kujtesën e artdashësve për kontributin e tij të çmuar në artin interpretativ dhe për rolet që shënuan një epokë të teatrit dhe kinemasë shqiptare.
Homazhet në nder të tij do të zhvillohen më 26 shkurt, nga ora 09:30 deri në 10:30, në hollin e teatrit në Korçë.
Komuniteti artistik, miqtë dhe familjarët i japin lamtumirën e fundit një aktori që për dekada ishte pjesë e identitetit kulturor të qytetit dhe më gjerë.

Jeta dhe karriera e aktorit të njohur
Zhani Petro (Ziçishti) ka lindur në 31 maj të vitit 1940, në qytetin e Korçës.
Pas mbarimit të studimeve të larta në Institutin e lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) fillon punën si aktor pranë Teatrit “A.Z.Çajupi” të Korçës. Me trupën e këtij teatri do të interpretojë një sërë rolesh duke u bërë i njohur për publikun artdashës.
Roli i parë i aktorit në kinematografi do të jetë ai i mësues Agronit në filmin “Lumë drite” në vitin 1970. Zhani Petro (Ziçishti) do të interpretojë më shumë se 17 role në filma artistikë.

Filmografia e Zhani Ziçishtit:
1990- Kronikë e një nate
1988 – Rikonstruksioni
1987- Përsëri pranverë
1986 – Dhe vjen një ditë
1986 – Tre ditë nga një jetë
1986 – Një jetë më shumë
1985 – Asgjë nuk harrohet
1981 – Agimet e stinës së madhe
1981 – Kur xhirohej një film
1980 – Dëshmorët e monumenteve
1979 – Mysafiri
1978 – Nga mesi i errësirës
1978 – Vajzat me kordele të kuqe
1977 – Flamur në dallgë
1976 – Fije që priten
1972- Përballimi
1975 – Rrugicat që kërkonin diell
1975 – Beni ecën vetë
1975 – Lumë drite
