Last Updated on 25/02/2026 by Anisa
Një denoncim i publikuar nga emisioni investigativ “Stop” në Televizionin Klan ka zbardhur një realitet të frikshëm brenda një klase të shkollës 9-vjeçare “100-vjetori i Pavarësisë” në Tiranë.
Pamjet e siguruara me kamera të fshehtë tregojnë mësuesen kujdestare, Mine Hasani, duke ushtruar dhunë fizike dhe verbale ndaj nxënësve të ciklit fillor. Monitorimi, që ka zgjatur më shumë se një javë, dokumenton goditje dhe sharje ndaj fëmijëve 9-vjeçarë.
Fjalori i përdorur nga mësuesja është i dhunshëm dhe degradues: nxënësit quhen “idiotë”, “kafshë”, “zhulsa”, “kokë palarë”, ndërsa ndëshkimi fizik duket i përsëritur dhe sistematik.
Prindërit e nxënësve deklarojnë se dhuna nuk është rast i izoluar. Ata pretendojnë se kanë bërë disa herë ankesë në Drejtorinë e Shkollës, por nuk ka pasur ndonjë ndërhyrje efektive për të ndaluar këtë sjellje.
“Është e papranueshme që fëmijët tanë të përballen me fyerje dhe goditje brenda shkollës, aty ku duhet të ketë dije dhe respekt,” shprehet një prind anonim.
Pas publikimit të pamjeve, Ministria e Arsimit dhe Sportit njoftoi nisjen e procedimeve për keqtrajtim të të miturve, ndërsa mësuesja Mine Hasani u shkarkua nga detyra.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro Furxhi, deklaroi se: “Një sjellje e tillë është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat e arsimit. Personi nuk është më pjesë e trupës së mësuesve, ndërsa grupi i punës po vijon dokumentimin e plotë të përgjegjësive. Respekt dhe mbështetje për mijëra mësues të përkushtuar që çdo ditë janë modeli më i mirë për fëmijët tanë.”
Rasti ka shkaktuar shqetësim të madh në opinionin publik dhe ka hapur debat mbi sigurinë e fëmijëve në shkolla. Denoncimi i bërë publik nga emisioni “Stop” është një thirrje për institucionet arsimore që të garantojnë ambientet e sigurta dhe respektin për çdo nxënës, duke vendosur standarde të qarta disipline dhe etikës profesionale./A.D
