Last Updated on 25/02/2026 by Anisa
Në një reagim të fundit në rrjetet sociale, Erisa Xhixho, Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, kritikoi ashpër mënyrën se si janë shpenzuar fondet për infrastrukturën rrugore në vend. Sipas saj, 3.8 miliardë euro të shpenzuara gjatë dy viteve të fundit për rrugë të cilat u quajtën “rrugë të florinjta”, kanë përfunduar të jenë rrugë të dëmtuara, pa standarde dhe të pasigurta për qytetarët.
Xhixho theksoi se investimet që në çdo vend tjetër do të sillnin rrugë moderne dhe të sigurta, në Shqipëri janë kthyer në projekte “të fryra dhe skandaloze”, ku kostot e larta shërbejnë për përfitime personale të zyrtarëve dhe klientëve të qeverisë.
Në postimin e saj, Xhixho nuk kurseu as ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke e akuzuar për dështimin e projekteve rrugore. Ajo theksoi se problemi nuk qëndron tek moti apo gjeologjia, por tek korrupsioni qeveritar.
Sipas saj:
“Nuk është faji i motit.
Nuk është faji i gjeologjisë.
Është faji i korrupsionit qeveritar të Edi Ramës dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.”
Xhixho përmendi disa prej rrugëve ku investimet kanë rezultuar të dështuara:
Korçë–Ersekë 88 milion €
Maliq–Lozhanë 14 milion €
Qukës–Qafë Plloçë 316 milion €
Elbasan–Qafë Thanë 100 milion €
Rruga e Arbrit 400 milion € (tuneli fut ujë)
Tuneli i Llogarasë 180 milion € (tuneli fut ujë)
Unaza e Burrelit 1.3 milion €
Sipas Xhixhos, këto projekte janë ose të shembura, ose jashtë funksionit, duke treguar qartë dimensionin e abuzimit.
Ajo përfundoi postimin me një thirrje për qytetarët:
“Më 28 shkurt, të gjithë bashkë kundër kësaj qeverie që zhvat popullin më të varfër në Europë.”
