Last Updated on 25/02/2026 by EL
Shkenca ka vërtetuar prej kohësh se mëmësia lë gjurmë të pashlyeshme në mendjen e gruas, por një studim i ri i botuar në Nature Communications zbulon se ky proces transformimi vazhdon edhe pas fëmijës së parë. Duke studiuar 110 gra, kërkuesit vërejtën se truri pëson ndryshime rrënjësore jo vetëm herën e parë, por përshtatet në mënyrë specifike edhe gjatë shtatzënisë së dytë. Ky fleksibilitet i jashtëzakonshëm tregon se mendja femërore është në një evolucion të vazhdueshëm për t’iu përgjigjur sfidave të reja të prindërimit.
Gjatë shtatzënisë së parë, transformimet kryesore ndodhin në “rrjetin e modalitetit të parazgjedhur”, i cili lidhet me vetëreflektimin dhe ndërtimin e marrëdhënieve. Megjithatë, në shtatzëninë e dytë, truri shfaq një prioritet tjetër: forcimin e zonave që kontrollojnë vëmendjen dhe funksionet motorike. Ky ndryshim konsiderohet si një mjet mbijetese dhe efikasiteti, pasi kujdesi për më shumë se një fëmijë kërkon reflekse më të mprehta dhe një aftësi më të lartë për të menaxhuar disa detyra simulantisht.
Lidhja emocionale me fëmijën mbetet shtylla qendrore e këtyre ndryshimeve neurologjike. Tek nënat për herë të parë, përshtatja e trurit është më e theksuar pas lindjes, pasi mendja po krijon për herë të parë mekanizmat e lidhjes me të porsalindurin. Ndërkohë, studimi vë në dukje se këto ndryshime strukturore janë ngushtësisht të lidhura edhe me depresionin perinatal. Interesant është fakti se simptomat e depresionit shfaqen më të dukshme pas lindjes tek nënat e reja, ndërsa tek ato që presin fëmijën e dytë, këto shenja mund të vihen re që gjatë periudhës së shtatzënisë.
Këto zbulime ofrojnë një dritare të re për të kuptuar shëndetin mendor të nënave dhe nevojën për terapi më të specifikuara. Duke njohur se si truri ndryshon sipas numrit të fëmijëve, mjekësia mund të ndërhyjë më mirë në parandalimin e depresionit pas lindjes dhe në mbështetjen emocionale të gruas. Në fund të fundit, ky studim lartëson “neuroplasticitetin” e nënave, duke treguar se truri i tyre nuk ndalet kurrë së u rrituri dhe përsosur së bashku me familjen e tyre./ET
