Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, deklaroi se pretendimet e Rusisë se Kievi po përpiqet të sigurojë armë bërthamore janë përpjekje për të ushtruar presion ndaj Ukrainës.
Në një konferencë për shtyp, Zelensky theksoi se Ukraina “fatkeqësisht” nuk posedon armë bërthamore dhe i cilësoi akuzat si të pabaza. Sipas tij, këto deklarata vijnë në prag të një takimi të pritshëm trepalësh mes përfaqësuesve të Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, që pritet të zhvillohet në fillim të muajit mars.
Duke pritur mbërritjen e kryeministrit norvegjez, Jonas Gahr Støre, për konferencën e përbashkët, Zelensky foli edhe për situatën e tubacionit të naftës “Druzhba”. Ai tha se Ukrainës i është sugjeruar riparimi i linjës, por shtoi se procesi kërkon kohë dhe “nuk është aq i shpejtë”.
Dërgesat e naftës ruse drejt Hungarisë dhe Sllovakisë janë ndërprerë që prej 27 janarit, pasi Kievi deklaron se një sulm rus goditi pajisjet e tubacionit në Ukrainën perëndimore. Nga ana tjetër, Sllovakia dhe Hungaria fajësojnë Ukrainën për zgjatjen e ndërprerjes së furnizimit.
Situata ka shtuar tensionet mes palëve, ndërsa vijojnë përpjekjet diplomatike për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës./mxh
