Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, mbërriti këtë të mërkurë në Izrael për një vizitë dyditore, që të dyja vendet e konsiderojnë si një mundësi për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Vizita zhvillohet në një moment tensionesh të larta në rajon, ndërsa rriten shqetësimet për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Modi, i cili në vitin 2017 u bë kryeministri i parë indian që viziton Izraelin, pritet të zhvillojë takime me homologun e tij, Benjamin Netanyahu. Dy liderët, që vazhdojnë të jenë në pushtet prej gati nëntë vitesh, pritet të diskutojnë bashkëpunimin në fushën e inteligjencës artificiale, si dhe në sektorin e mbrojtjes, në një kohë kur Izraeli synon të rrisë eksportet ushtarake.
Zyrtarë të qeverisë izraelite kanë deklaruar se vizita do të hapë rrugën për partneritete dhe bashkëpunime të reja në shumë fusha, ndërsa marrëdhëniet dypalëshe konsiderohen pranë një përmirësimi të rëndësishëm.
Vizita e Modit vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar forca të konsiderueshme detare pranë brigjeve të Iranit, mes bllokimit të negociatave për programin bërthamor të Teheranit. Pentagoni ka dërguar gjithashtu një aeroplanmbajtëse në Mesdhe, me destinacion brigjet e Izraelit./mxh
