Jeffrey Epstein u përpoq të blinte një pallat multimilion dollarësh në Marok një ditë para arrestimit të tij në vitin 2019, sipas dokumenteve të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së muajin e kaluar, raporton BBC.
Epstein synonte të blinte Bin Ennakhil që nga viti 2011, por mosmarrëveshjet me shitësin mbi çmimin dhe marrëveshjen e blerjes vazhduan me vite.
Pallati madhështor, i ndërtuar nga 1,300 artizanë dhe i zbukuruar me mozaikë dhe gdhendje të hollësishme, ishte pjesë e një marrëveshjeje për të blerë kompaninë që zotëronte pronën për 18 milionë euro. Epstein nënshkroi një transfertë bankare prej 14.95 milionë dollarësh një ditë para arrestimit, por tre ditë më vonë kontabilisti i tij anuloi transaksionin dhe blerja nuk u finalizua.
Maroku nuk ka traktat ekstradimi me SHBA-në dhe sipas mediave vendase, një nga motivet e kësaj blerjeje nga financieri amerikan, ishte mundësia për t’iu shmangur arrestimit nëse kundër tij do të ngrisheshin akuza të tjera./mxh
