Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi ka komentuar ditën e sotme lëvizjet e fundit në qeveri. Në një intervistë, Korreshi tha se shkarkimin e Spiropalit e ka kërkuar Belinda Ballukut, ndërsa shtoi se ka ndikuar dhe “paaftësia”.
Ndër të tjera u shpreh se ky është një hap i kryeministrit Edi Rama për të testuar situatën me ndërkombëtarët, ai ato europianë dhe ato amerikanë.
“Balluku ka kërkuar heqjen e Spiropalit nga posti i ministres. Po ashtu besoj se ka ndikuar edhe paaftësia e saj. Pjesë tjetër e ofertës ishin emërimi i drejtorit të OSHEE-së si ministër, është një ‘zar’ i Ballukut. Ai ka qenë i deleguar i saj në Fier. Tjetri ka qenë drejtor i kabinetit, edhe atë e ka vendosur ministër. Ajo tani është ministre e dy ministrive pa dashur të firmosë. Po ashtu ka ministrin e Financave e të tjerë.
Ky është një hap paraprak i Ramës, sepse do të testojë situatën. Zgjimi i faktorit ndërkombëtar, si europian ashtu edhe amerikan, unë mendoj se është. Nuk mjaftojnë debatet e opozitës në Parlament, por protestat e fundit, edhe pse me skepticizëm, kanë sjellë jehonë të jashtëzakonshme në mediat e huaja për presionin ndaj shkarkimit të Ballukut”, tha deputeti.
Ai paralajmëroi gjatë fjalës së tij përshkallëzim të mundshëm të aksionit opozitar për shkak të çështjes së imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
“Nuk përjashtoj faktin se mund të kemi ngujim apo grevë urie për heqjen e imunitetit të Ballukut brenda sallës së Parlamentit. Kjo është diskutuar prej kohësh dhe është vija e kuqe. Këshilli i Imuniteteve ka për qëllim të shohë nëse kemi të bëjmë me gjyq politik apo jo për heqjen e imunitetit të deputetes. Edhe vetë avokati i Ballukut ka thënë se nuk është gjyq politik”, tha Korreshi./mxh
