Princ Leka ka konfirmuar zyrtarisht martesën me Blerta Celibashin, duke ndarë detaje nga përgatitjet për ceremoninë në një intervistë për revistën franceze “Point de Vue”. Pas një fejese të organizuar në jug të Shqipërisë, çifti po përgatitet për të kurorëzuar dashurinë me një dasmë që do të reflektojë stilin dhe vlerat e tyre.
Fejesa u mbajt në një resort privat buzë detit, mes pishash dhe në një atmosferë të qetë e të rezervuar. Të njëjtën frymë intime dhe autentike, Princ Leka dhe Blerta synojnë ta ruajnë edhe në ditën e madhe, ndonëse disa elementë të ceremonisë janë ende në fazën e finalizimit.
“Për ne ka më shumë rëndësi të jemi të rrethuar nga njerëzit tanë më të afërt dhe ta përjetojmë këtë moment me sinqeritet. Ëndërrojmë një ceremoni të thjeshtë, elegante dhe të ndjerë,” shprehet princi për revistën.
Organizimi i eventit po realizohet në bashkëpunim me profesionistë, ndërsa programi parashikon një koktej mirëseardhjeje një natë përpara dasmës dhe një darkë festive në ditën e ceremonisë. Stili do të jetë klasik dhe i përjetshëm, larg trendeve kalimtare, në përputhje me shijet e çiftit.
Në aspektin gastronomik, darka do të përgatitet nga shefi shqiptar Erion Fejzaj, mik i familjes, i cili do të vijë nga Firence posaçërisht për këtë rast. Menuja do të jetë e frymëzuar nga kuzhina mesdhetare me ndikime osmane, duke përfshirë edhe alternativa vegjetariane, në respekt të preferencave të nuses./mch
