Bill Gates ka reaguar sërish lidhur me raportet e tij me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein, duke u kërkuar falje punonjësve të Fondacionit Gates për dëmin reputacional që, sipas tij, kanë shkaktuar këto kontakte. Në një takim të brendshëm, i cili është bërë publik nga mediat ndërkombëtare, bashkëthemeluesi i Microsoft ka pranuar gabime në gjykim, por ka mohuar çdo përfshirje në veprimtari të paligjshme.
Sipas raportimit të The Wall Street Journal, Gates ka deklaruar se ka pasur dy marrëdhënie jashtëmartesore me gra ruse, për të cilat Epstein kishte marrë dijeni më vonë. Ai ka theksuar se këto lidhje nuk kanë pasur asnjë lidhje me çështjet penale apo me viktimat e financierit të dënuar.
“Nuk kam bërë asgjë të paligjshme dhe nuk kam parë asgjë të paligjshme,” është shprehur Gates, duke insistuar se nuk ka pasur asnjë rol në krimet për të cilat Epstein u akuzua dhe u dënua.
Ai ka komentuar gjithashtu mbi disa fotografi të publikuara së fundmi në dokumente gjyqësore, ku fytyrat e grave shfaqen të errësuara, duke sqaruar se ato ishin realizuar me kërkesë të Epstein pas takimeve me stafin e tij. Gates ka theksuar se nuk ka kaluar kurrë kohë me viktimat e Epstein dhe e ka cilësuar si “gabim të madh” vendimin për të mbajtur kontakte me të, si dhe përfshirjen e disa drejtuesve të fondacionit në takime me një person me të kaluar penale për abuzim seksual.
Sipas deklarimeve të tij, kontaktet me Epstein kanë nisur në vitin 2011, disa vite pasi ky i fundit ishte shpallur fajtor në vitin 2008 për shfrytëzimin e një të miture për prostitucion dhe kishte kryer një dënim me 18 muaj burg. Gates ka pranuar se ishte në dijeni të këtij dënimi, por nuk kishte hetuar më tej mbi të kaluarën e tij.
Ai gjithashtu ka zbuluar se vazhdoi ta takonte Epstein edhe pasi ish-bashkëshortja e tij, Melinda French Gates, kishte shprehur shqetësim për këto kontakte në vitin 2013./mxh
